Putini urdhëron forcat e tij të mos sulmojnë fabrikën e çelikut në Mariupol

Moskë, 21 prill 2022 – Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi të enjten forcat e tij që të mos sulmojnë një fabrikë çeliku në qytetin ukrainas të Mariupolit, ku janë strehuar forcat e fundit mbrojtëse të Ukrainës.

Presidenti Putin i tha ministrit të tij të Mbrojtjes, Sergei Shoigu në një takim televiziv, se forcat ruse duhet të bllokojnë fabrikën “në mënyrë që asnjë mizë të mos mund të kalojë” dhe se vazhdimi i planeve për të sulmuar atë vend do të rrezikonte në mënyrë të panevojshme trupat ruse.

Ministri Shoigu i tha presidentit Putin se janë 2,000 trupa ukrainase në fabrikën Azovstal, por se pjesa tjetër e Mariupolit, një qytet port i rëndësishëm, ishte “çliruar”.

Fati i civilëve në qytetin e rrethuar ka nxitur shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar dhe zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha të enjten se katër autobusë qenë në gjendje të evakuojnë civilë përmes një korridori humanitar të mërkurën.

Më shumë se 100,000 ukrainas besohet të jenë të bllokuar në Mariupol, ku 400,000 njerëz jetonin përpara se Rusia të fillonte agresionin e saj me 24 shkurt.

“Kushtet atje janë vërtet të tmerrshme”, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një konferencë diplomatike në Panama. Ai nënvizoi se përpjekjet për vendosjen e korridoreve humanitare për të lejuar banorët e Mariupolit që të evakuohen, “janë rrënuar shumë shpejt”.

Lufta në Mariupol është pjesë e një ofensive më të gjerë ruse në rajonin e rëndësishëm strategjik të Donbasit, ku Moska ka shtuar praninë e saj ushtarake.

“Synimi aktual i Moskës është të zgjerojë kontrollin e saj në lindje dhe në jug. Idealisht, ata do të donin të pushtonin Kharkivin dhe Odesën”, i tha Zërit të Amerikës John E. Herbst, drejtor i lartë i Qendrës për Euro-Azinë në Këshillin Atlantik dhe ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë. “Por, këto janë synime të larta. Ata mund të detyrohen të kënaqen me Mariupolin”.

Më 25 mars, pas humbjeve në Ukrainën veriore, Moska njoftoi një ndryshim të madh në strategji dhe largoi forcat nga veriu, duke përfshirë periferitë e kryeqytetit, Kiev, për të konsoliduar përfitimet ushtarake në Donbas dhe për të krijuar një urë tokësore për në Krime.

Analistët thonë se nëse forcat ruse vendosin kontrollin e plotë mbi Donbasin, diplomatët rus do të kenë një letër më të fortë në negociatat e paqes dhe do të jenë në një pozicion më të mirë për të kërkuar autonomi për rajonin.

“Por edhe nëse ai (presidenti Putin) arrin suksese të mëdha në lindje dhe në jug, dhe pranon një zgjidhje që i jep atij kontrollin mbi zonat e pushtuara, kjo nuk do të thotë se ai do të jetë i kënaqur”, tha zoti Herbst.

Analistët e Departamentit amerikan të Mbrojtje, thonë se beteja për rajonin e Donbasit, ku luftimet kanë vazhduar që nga aneksimi i Krimesë nga Moska në vitin 2014, mund të zgjasë edhe për muaj të tjerë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të flasë të enjten për agresionin e Rusisë në Ukrainë, përfshirë ndihmën amerikane për Kievin, ndërsa administrata e tij po përgatit një raund tjetër ndihme që pritet të arrijë në rreth 800 milionë dollarë.

(Zëri i Amerikës)