PZAP urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale

Prishtinë, 24 gusht 2025 – Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kanë raportuar mediat në Kosovë më 24 gusht.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beorgadit, e dorëzoi ankesën në PZAP paraditen e 22 gushtit.

“Anulohet vendimi i KQZ-së dhe urdhërohet KQZ-ja që ta cerifikojë subjektin politik Lista Serbe me listën e kandidatëve për asamble komunale dhe kandidatëve për kryetar të komunave, sipas rekomandimit të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike në KQZ”, thuhet në aktgjykimin e PZAP-it.

Më 21 gusht, Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të partive në KQZ rekomandoi certifikimin e Listës Serbe, por KQZ nuk e miratoi këtë rekomandim.

Anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, thanë se Lista Serbe është  “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë dhe se shumica e kandidatëve të kësaj partie që kontrollohen nga Beogradi janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe në Kosovë.

Për dhe kundër certifikimin kanë votuar nga dy anëtarë të KQZ-së, kurse shtatë të tjerë kanë abstenuar nga votimi.

Vendimi i KQZ-së i 21 gushtit u kritikua nga vendet e QUINT-it dhe nga Bashkimi Evropian. Ato u bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike që të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit

(r.m.)