Çështje të Emigracionit: Nga Avokati Kieran Both

Qendra Kombëtare Amerikane e Vizave (NVC) drejtohet nga Byroja e Çështjeve Konsullore pranë Departamentit të Shtetit (DOS) dhe administron procesimin e aplikimeve për viza emigruese pasi USCIS-i të ketë miratuar më parë peticionin përkatës dhe përpara se çështja t’i kalojë për gjykim një zyre konsullore.
NVC-ja mund t’i japë fund procesimit të një aplikimi për vizë emigruese në rast se aplikanti nuk ka arritur të mbajë kontakt vjetor gjatë kohës që aplikimi ka qenë nën shqyrtim.
NVC-ja e krijon një çështje emigracioni për vizë në qendrën konsullore të aplikimeve elektronike (CEAC), si dhe duke i dërguar aplikantit dhe përfaqësuesit ligjor – nëse është paraqitur më parë pranë USCIS-it një formular G-28 për këtë qëllim – Letrën e Mirëseardhjes (Welcome Letter). Letra e Mirëseardhjes përmban Numrin e Çështjes për Vizë Emigruese (Immigrant Visa Case Number), Invoice ID-në si dhe udhëzimet përkatëse se si krijohet një llogari në CEAC. Pasi aplikanti paguan tarifat e vizës emigruese, mund të duhen deri në dhjetë (10) ditë kalendarike që pagesa të reflektohet në CEAC. Pasi NVC-ja merr dosjen nga USCIS-i dhe nëse ka viza emigruese në dispozicion, të gjithë aplikantët për vizë emigruese duhet të përdorin qendrën elektronike CEAC për të paguar tarifat dhe për të paraqitur formularin DS-260 të aplikimit për vizë (Application for Immigrant Visa and Alien Registration). Procesimi i aplikimit për vizë fillon vetëm pasi të jenë paguar të gjitha tarifat përkatëse si dhe të jenë ngarkuar të gjithë dokumentet që kërkohen, në llogarinë CEAC. Llogaria që aplikanti ka hapur në CEAC përmban udhëzime se si dhe ku të dorëzohen dokumentet.
Kërkesa për të mbajtur kontakt njëvjeçar sipas INA 203(g) parashikon ndërprerjen e regjistrimit të peticionit për vizë për cilindo individ që nuk aplikon për vizë emigruese (IV) brenda një viti nga data kur aplikanti ka marrë njoftim për disponueshmërinë e vizës. Kjo vlen për ata që aplikojnë pasi u është miratuar më parë një peticion I-130, I-140 ose I-360, përfshirë këtu anëtarët e ngushtë të familjes, emigrantët në kategoritë preferenciale të bashkimit familjar ose punësimit, dhe emigrantët “specialë”. Departamenti i Shtetit e ka interpretuar këtë kërkesë për mbajtje kontakti në mënyrë fleksibile dhe pranon disa forma të caktuara kontakti me NVC-në për raste specifike, të cilat i konsideron si të mjaftueshme për të shmangur ndërprerjen.
NVC-ja ka konfirmuar se mënyrat më efektive për të mbajtur kontakt me NVC-në për të shmangur ndërprerjen e procesimit të çështjes, janë përmes:
ï Pagesës së tarifës (që duhet të rezultojë e regjistruar në CEAC për rastet e aplikimeve elektronike) dhe ndërmarrjes së çfarëdolloj veprimi tjetër të vlefshëm që ka të bëjë me aplikimin për vizë brenda një viti
- Dorëzimit të dokumentave në mënyrë të tillë që të mund të gjurmohen në CEAC, për rastet e aplikimeve elektronike
ï Përdorimit të formularit publik të pyetjeve “Ask NVC” (Public Inquiry Form)
ï Futjes në llogarinë CEAC
ï Plotësimit të formularit DS-260
NVC-ja mund të ndërpresë një aplikim për vizë emigruese kur aplikanti nuk arrin të mbajë kontakt vjetor gjatë kohës që aplikimi është në shqyrtim. Normalisht, kjo nuk duhet të përbëjë problem për rastet që ndjekin procesim konsullor të çështjes; megjithatë, në rastet që fillimisht janë paraqitur si raste procesimi konsullor, por më pas aplikanti ka paraqitur kërkesë për ndreqje statusi (AOS) pranë USCIS-it, ekziston rreziku i ndërprerjes së procesimit nga NVC-ja nëse çështja nuk i transferohet USCIS-it.
Nëse NVC-ja lëshon gabimisht një njoftim paralajmërues për ndërprerje, paraqisni sa më shpejt një kërkesë online përmes formularit publik të pyetjeve (Public Inquiry Form), në kutinë e pyetjes në fund të formularit shtoni “ATTN: PI Supervisor” dhe bashkëngjitni prova që dëshmojnë se keni mbajtur kontakt, si p.sh. email-e, pamje ekrani të korrespondencës, fatura, konfirmime, etj. Ju kujtojmë se NVC-ja është në dijeni që çështjet nuk duhet të ndërpriten sa kohë që një formular I-601A është në pritje për shqyrtim. Nëse jeni ende në pritje që çështja juaj të riaktivizohet, ju lutemi njoftoni NVC-në përmes PIF-it.
Ka tre hapa për ndërprerjen e një çështjeje: 1 vit pa kontakt (NVC mund ta riaktivizojë çështjen); 2 vjet pa kontakt (quhet Term 1); 3 vjet pa kontakt (quhet Term 2) – çështja fshihet përfundimisht. Shënim: vetëm një zyrë konsullore duhet të aprovojë riaktivizimin nëse çështja ndodhet në Term 2 ose 3. NVC-ja nuk mund ta riaktivizojë çështjen në këto raste.
Nëse merrni një letër ndërprerjeje nga NVC-ja, duhet të reagoni menjëherë. Ju sugjerojmë që të konsultoheni me një avokat me përvojë në fushën emigracionit.
Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com