Qeveria e Kosovës cakton çmimet maksimale të karburanteve

Prishtinë, 27 qershor 2022 – Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë caktoi të hënën çmimet maksimale të derivateve për periudhën 24-orëshe.

Çmimi maksimal i naftës u caktua 1.85 euro, i benzinës 1.74 euro, kurse i gazit 0.78 centë. Këto çmime vlejnë deri të martën në orën 10:00.

Caktimi i çmimeve maksimale të karburanteve u bë në bazë të udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës dhe të karburanteve të ripërtëritshme, të miratuar nga qeveria më 22 qershor.

Ky vendim është marrë pas rritjes së çmimeve të naftës javëve të fundit në Kosovë.

Deri më sot, me raste, një litër naftë është shitur me 1.91 euro.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se nga të dhënat e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës është vërejtur se ka pasur mospërputhje të çmimeve në Kosovë, në krahasim me lëvizjet e çmimeve në tregjet botërore.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në opozitë, ka kërkuar të hiqet akciza dhe të ulet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për naftën, në mënyrë që të ulen çmimet, por Qeveria nuk ka pranuar ta bëjë këtë. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se heqja e akcizës nuk do të çonte në uljen e çmimeve.

Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

(r.m.)