Qeveria e Kosovës e miratoi Projektligjin për Sigurimin Shëndetësor të detyrueshëm

Prishtinë, 28 gusht 2024 – Qeveria e Kosovës e miratoi të mërkurën Projektligjin për Sigurimin Shëndetësor të detyrueshëm. Ky projektligj pritet të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës në fillim të sesionit vjeshtor që do të fillojë n՞ muajin shtator.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë prezantimit të projektligjit në mbledhjen e qeverisë, tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë. Ky proces është i pakthyeshëm dhe si të tillë e nisim sot, këtu, në këtë mbledhje. Me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës”, tha ai.

Vitia tha se hartimi i këtiij projektligji i ka paraprirë një analizë e detajuar dhe një  proces kompleks i planifikimit dhe diskutimi me ekspertë të fushave të ndryshme dhe me palë të interest. Por, ai e konfirmoi se zbatimi i këtij ligji do të jetë “një ndër sfidat kryesore” të qeverisë.

Sipas projektligjit, fondi i sigurimeve do të mbështetet në buxhetin e Kosovës dhe në kontributet e punëtorëve.

“Këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt. Buxhetit që ndahet për shëndetësinë, do t’i shtohen edhe kontributet e secilit prej nesh nga të hyrat personale”, theksoi ai.

Kosova nuk ka ende sigurime shëndetësore të detyrueshme. Në vitin 2007 ishte miratuar ligji për këtë çështje, por ai nuk u zbatua asnjëherë, për shkak se shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) nuk e nënshkroi, për shkak të implikimeve buxhetore. Pas pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, vetë qeveritë e Kosovës e tërhoqën ligjin, po për shkak të implikimeve buxhetore.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës e miratoi një ligj të ri për sigurime shëndetësore të detyrueshme, por as ai  nuk u zbatua asnjëherë. Zbatimit të tij isdhte planifikuar të fillonte në vitin 2017, pas një periudhe 6 mujore për mbledhjen e fondeve.

(r.m.)