Prishtinë, 25 gusht 2021 – Qeveria e Kosovës, të mërkurën, më 25 gusht, e miratoi projektligjin për Kodin e Procedurës Penale, me të cilin do të rregullohet edhe gjykimi në mungesë i të akuzuarve.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, prezantoi ndryshimet dhe plotësimet që Ministria e Drejtësisë propozon t’i bëjë në Kodin aktual të Procedurës Penale.
Ai tha se përmes këtij propozimi, kryerësit e veprave penale, me theks të veçantë ato të krimeve të luftës, nuk do të kenë mundësi më t’i shmangen drejtësisë.
“Të gjithë ata që kanë kryer krime lufte do të marrin dënimin e miratuar dhe kudo që hasen nga organet ligjzbatuese do të vuajnë dënimin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.
Lidhur me ndryshimin e këtij ligji foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Projekt-Kodi i ProcedurësPenale do të mundësojë që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe rastet penale të kenë epilog”, tha ai.
Zëvendësministri Sallahu bëri të ditur se Kodi i Procedurës Penale ishte dashur të ndryshohet më herët, për të mundësuar edhe zbatimin e plotë të Kodit të ri Penal, që ka hyrë në fuqi në vitin 2019.
Sallahu tha se në Departamentin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale janë forcuar kapacitetet.
Projekti i Kodit të Procedurës Penale do të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë luftës në Kosovë e kanë humbur jetën rreth 13.500 persona, shumica prej të cilëve shqiptarë, ndërsa 1.600 konsiderohen ende të pagjetur.
Ish-këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se Kosova ka trashëguar rreth 1.000 raste te krimeve të luftës nga UNMIK-u dhe nga EULEX-i, të vjetra rreth 15 vjet. Ajo ka thënë drejtësia e ngadalshme ka qenë pasojë e mungesës së stafit të mjaftueshëm.
Një departament i posaçëm për krime lufte është krijuar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në maj të vitit 2015.
(r.m.)