Prishtinë, 19 prill 2023 – Qeveria e Kosovës njoftoi të martën se e ka shfuqizuar vendimin e datës 13 dhjetor 2022 me të cilin kompanisë “Moxico Luma Kosova Mining” i ishte dhënë statusi i investitorit strategjik.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhje Elektronike në të cilën ka shfuqizuar vendimin Nr.04/112 të datës 13 dhjetor 2022 me të cilin ishte konfirmuar vullneti i Qeverisë për t’i proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës Vendimin e Qeverisë Nr. 13/50, të datës 21 dhjetor 2020, për dhënien e Statusit Investitor Strategjik për Subjektin Investues “MOXICO LUMA KOSOVA MINING L. L. C”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Qeveria, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ky vendim është marrë në bazë të nenit 14 të Ligjit për Investime Strategjike.
Në nenin 14 të këtij ligji thuhet: “Në rast se përgjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit investim strategjik”.
Vendimi për dhënien e statusit të Investitorit Strategjik për investitorin “Moxico Kosova Mining L.L.C” ishte lëshuar më 19 nëntor 2020. Ky vendim, i cili ishte nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, bazohej në nenet 12 dhe 22 të Ligjit për Investime Strategjike.
Ligji për Investime Strategjike ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017. Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori.
Sipas këtij ligji, prioritet në përzgjedhjen e projekteve për të fituar statusin e investimit strategjik u jepet projekteve me vëllim më të madh investimesh dhe të cilat gjenerojnë më shumë vende pune.
Projekti i kompanisë “Moxico Luma Kosova Mining” përfshinte eksplorimin dhe verifikimin e burimeve minerale. Kapitali i investimit strategjik ishte mbi 45 milionë euro, ndërsa investimi do të realizohej në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave të Mitrovicës dhe Vushtrrisë. Në këtë projekt ishte paraparë të punësoheshin 300 punëtorë.
Përfaqësues të kompanisë “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informacion lidhur me shfuqizimin e vendimit për dhënien e statusit të investitorit strategjik kësaj kompanie.
“Ne mbetemi me shpresë që komunikimi me qeverinë do të vazhdojë me qëllim të zbatimit të investimit tonë në Kosovë”, thuhet në një përgjigje me shkrim të kësaj kompanie dërguar Radios Evropa e Lirë.
(r.m.)