Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për buxhetin e vitit 2024

Prishtinë, 31 tetor 2023 – Qeveria e Kosovës e ka miratuar të martën projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro, një rritje e vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.

Projektligji për buxhetin do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Duke folur gjatë një mbledhjeje të Qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për sektorin publik, koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro.

“Për vitin 2024, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro”, tha Kurti.

Buxheti i shtetit të Kosovës për vitin 2023 ishte 3.2 miliardë euro.

Buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik parashihet të jetë 805 milionë euro, tha Kurti, duke shtuar se kjo është “30 për qind më lart se para pesë vjetëve”.

“Me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë, prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë”, tha Kurti.

Ai njoftoi se buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë shumën 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro “apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht.”

(REL)