Qeveria e Kosovës: Në veri nuk janë dërguar njësitë speciale të policisë

Prishtinë, 8 dhjetor 2022 – Qeveria e Kosovës përgënjeshtroi raportimet e medieve serbe se në [jesën veriore të Kosovës ku  serbët përbëjnë shumicën janë dërguar si  përforcim pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i përgenjeshtroi këto raportime.

“Bëhet fjala vetëm për policinë e rendit dhe jo për ndonjë njësi tjetër”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës njoftoi të enjten për rritjen e prezencës policore në katër komunat në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se rritja e prezencës policore në këtë pjesë të vendit ishte e domosdoshme pas incidenteve të dy ditëve të fundit. Ai tha se Policia e Kosovës angazhohet “për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”.

Më 6 dhe 7 dhjetor, në komunat në veri të Kosovës kanë ndodhur incidente me armë zjarri dhe me granata.

Të martën, zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicën Veriore dhe në Zubin Potok u dëmtuan nga grupe dhe persona të maskuar. Një bombë dore u gjet e pashpërthyer në zyrën e komisionit komunal zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.

Të mërkurën në mbrëmje, në dy lagje të Mitrovicës Veriore pati shpërthime të “shock-bombave”.

Të   enjten, në Leposaviq, pati një tentim për plaçkitjen e filialit të Bankës Kombëtare të Serbisë.

(r.m.)