Qeveria e Kosovës shtyn zbatimin e vendimeve për letërnjoftimet dhe targat

Prishtinë, 31 korrik 2022 – Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të shtyjë deri më 1 shtator implementimin e vendimeve të reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe për riregjistrimin e automjeteve të targa të lëshuara nga Serbia.

Ky vendim është marrë pas takimit të udhëheqësve më të lartë të shtetit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sotme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.

Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Falënderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Ambasadori Hovenier tha se SHBA vlerësojnë se vendimet për letërnjofimet dhe për targat e automjeteve janë plotësisht në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, por ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të tyre për 30 ditë, për të shmangur dezinformatat dhe keqkuptimet.

(r.m.)