Shkup, 7 korrik 2022 – Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se në seancën e së enjtes ka marrë vendim dhe ia ka kaluar parlamentit propozimin për kornizën negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, të paraqitur nga presidenca franceze e Bashkimit Evropian.
Propozimi ka gjetur ndërkohë mbështetje të gjerë tek komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët e Maqedonisë së Veriut. Departamenti amerikan i Shtetit thekson në një deklaratë për Zërin e Amerikës, mbështetjen e fuqishme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Një zëdhënës i tha Zërit të Amerikës se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së. “Procesi i zgjerimit mundëson paqen afatgjatë, qëndrueshmërinë dhe përparimin në të gjithë rajonin. Ne jemi të vetëdijshëm për shumë deklarata të drejtuesve të BE-së mbi rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE për të forcuar sigurinë në Evropë, si dhe sigurinë tonë kolektive”, thekson zëdhënësi. Në vazhdim, zyrtari i Departamentit të Shtetit nënvizon se Maqedonia e Veriut ka hedhur bazat dhe se tani është koha për të lëvizur përpara në fazën e ardhshme të procesit të integrimit. “Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën në përgjithësi, ne inkurajojmë miqtë tanë të shfrytëzojnë mundësinë për të filluar procesin e anëtarësimit në BE”, thotë zëdhënësi.
Në njoftimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk thuhet nëse propozimi është miratuar për t’iu shmangur përplasjeve në këto rrethana me protesta të dhunshme kundër institucioneve qeveritare.
Parlamenti do ta shqyrtojë dhe do të vendosë për propozimin në bazë të procedurave parlamentare.
VMRO-DPMNE-ja e opozitës thotë se do të marrë pjesë në debatin për atë që tanimë njihet si ‘propozimi francez’, ndërsa kërkon që vendimet nga debati të merren me konsensus dhe të mos miratohen vetëm me votat e shumicës.
Propozimi nuk është i pranueshëm për opozitën maqedonase, e cila ka mbështetur protestat e përditshme dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive.
VMRO-ja kërkon fshirjen e deklaratave të njëanshme, siç i quan, të Bullgarisë për gjuhën maqedonase, si dhe që marrëveshjet dypalëshe të mos jenë pjesë e kornizës negociuese dhe që Kushtetuta të mos ndryshohet para fillimit të bisedimeve me BE-në.
Nga ana tjetër, përfaqësues të pushtetit pohojnë se edhe Protokolli, ende i panënshkruar, mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, do t’i dorëzohet parlamentit. Zëvendës-Kryeministri Artan Grubi u tha gazetarëve se do të propozohet një vendim me anë të të cilit do t’i ndalohet çdo qeverie në të ardhmen që të marrë vendime dhe të bisedojë për çfarëdolloj kushtesh lidhur me çështjet historike, kulturore dhe veçoritë gjuhësore të popullit maqedonas, por dhe të komuniteteve të tjera etnike në vend.
Megjithatë, ‘propozimi francez’ kërkon që Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut të hapet për përfshirjen në Preambulën e saj të pakicës bullgare, që do të mundësonte menjëherë çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE të këtij vendi ballkanik.
Protestat e dhunshme janë dënuar nga krerët e institucioneve më të larta shtetërore, nga partitë në pushtet dhe nga disa prej përfaqësive diplomatike në Shkup, që kanë kërkuar të veprohet me dinjitet, qetësi dhe pa dhunë në protesta.
Ministria e Rendit njoftoi se pesë persona u arrestuan në protestat e mbrëmshme në sheshin Skënderbe, përfshirë edhe personin që i kishte drejtuar revolverin turmës. Sipas medias lokale, ai ishte pronar i një biznesi në këtë shesh, dhe se një ditë më parë protestuesit i kishin thyer xhamat e ndërtesës dhe kishin dëmtuar makinat e klientëve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ndërkohë tha se nuk kishte njohuri nëse jeta e drejtuesit opozitar Hristijan Mickovski (VMRO-DPMNE) ishte në rrezik, siç pohoi ky i fundit të mërkurën në mbrëmje, duke thënë se “arma që u nxor në sheshin Skënderbe e kishte vendosur atë në shënjestër”.
Ministri i Rendit theksoi se personi tashmë i ndaluar, ishte anëtar i Aleancës për Shqiptarët, në koalicion me VMRO-DPMNE-në në qytetin e Shkupit dhe se kishte bërë fushatë për kryetaren e tanishme të Komunës së Shkupit në zgjedhjet e fundit lokale.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)