Qeveria e padit Shtëpinë Botuese franceze që e quajti Kosovën vend të manastireve serbe

Prishtinë, 19 tetor 2022 – Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka njoftuar se të mërkurën kanë bërë kërkesë për inicim të padisë ndaj shtëpisë botuese franceze “Petit Fute” lidhur me një publikim ku Kosova prezantohej si “vend i manastireve serbe”.

Ministrja Hajdari, në një njoftim në Facebook, ka njoftuar se inicimi i padisë është për bërë shkak se “Petit Fute” e ka publikuar një material që është kundërshtuar në vazhdimësi dhe ka bërë publikimin e tij pa miratimin e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA).

“Inicimi i padisë kundër Shtëpisë Botuese ‘Petit Fute’ është bërë për arsye se e njëjta ka kryer veprime të kundërligjshme dhe të dëmshme për imazhin e Republikës së Kosovës, duke shkelur marrëveshjen e lidhur me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve-KIESA, duke mos publikuar materialin promovues të turizmit të dërguar nga KIESA, por ka publikuar një material që është kundërshtuar në vazhdimësi dhe ka bërë publikimin pa pasur miratim nga KIESA. Po ashtu, ‘Petit Fute’ nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për largimin e shkrimit të artikullit në faqet 94 dhe 95 të katalogut të tyre, përkundër kërkesës dhe paralajmërimit nga KIESA-MINT”, ka shkruar ajo.

“Historia e Republikës së Kosovës është e qartë dhe atë nuk mund ta ndryshojë askush. Ne jemi të përkushtuar që ta mbrojmë të vërtetën e historisë sonë, në mënyrë që ta mbrojmë dhe të ardhmen tonë përpara”, ka theksuar ministrja Hajdari.

Në artikullin e saj, Shtëpia Botuese “Petit Fute” e ka quajtur Kosovën si “vend ku kanë lindur manastiret e kishës ortodokse serbe”.

(r.m.)