Qeveria e Shqipërisë e miratoi marrëveshjen me Italinë për emigrantët

Tiranë, 15 nëntor 2023 – Qeveria e Shqipërisë e ka miratuar marrëveshjen me Italinë për strehimin e emigrantëve afrikanë e aziatikë në Shqipëri, të nënshkruar pak kohë më parë nga Kryeministrja e Italisë Goria Meloni dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Vendimi për miratimin e kësaj marrëveshjeje, e cila pritet të kalojë për miratim edhe në parlament, është nënshkruar nga zëvendëskryeministra Belinda Balluku, siç thuhet, “në mungesë dhe me porosi” të kryeministrit Rama.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Shqipëria do t’i strehojë emigrantët që mësyjnë Italinë përmes detit derisa të vendoset se si do të veprohet me ta më tutje. Kufiri maksimal i migrantëve që do të mund të qëndrojnë në Shqipëri në të njëjtën kohë do të jetë jo më shumë se 3 mijë.

Italia do t’i përballojë të gjitha shpenzimet për migrantët e strehuar në Shqipëri, përfshirë koston e kujdesit shëndetësor dhe të gjitha kostot tjera të paparashikuara.

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve afrikanë e aziatikë në Shqipëri ka nxitur reagime negative brenda dhe jashtë Shqipërisë, si edhe dyshime se ajo përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Bashkimi Evropian ka thënë se do ta analizojë nëse kjo marrëveshje bie ndesh me  politikat e bllokut për trajtimin e refugjatëve. Disa organizata për mbrojtjen e tëdrejtave të njeriut kanë kërkuar anulimin e marrëveshjes.

Vendimi i plotë i Qeverisë së Shqipërisë:

V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE   TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN   E MIGRACIONIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i  bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

(r.m.)