Qeveria e Shqipërisë investon 10 milionë USD në kompaninë e Mira Muratit

Tiranë, 19 maj 2025 – Qeveria shqiptare investon 10 milionë USD në kompaninë ‘Thinking Machines Lab’, të themeluar nga ish-punonjësja ekzekutive e Open AI, Mira Murati.

Nisur nga një bisedë mes Kryeministrit Edi Rama dhe Mira Muratit, ish-drejtoreshës së teknologjisë së kompanisë “Open AI”, Këshilli i Ministrave ka firmosur me Akt Normativ financimin me 10 milionë dollarë të një kompanie të re në fushën e teknologjisë, një ndër themeluesit e së cilës është Murati.

“Fola me Mira Muratin dhe i thashë a është e mundur që të futemi edhe ne”- tha Rama me 15 prill, në një vizitë në një kompani start-up në Tiranë.

Vetëm dy javë më pas, më 29 prill, Këshilli i Ministrave e miratoi një ndryshim në buxhetin e 2025-ës duke akorduar 1 miliardë lekë për kompaninë e sapothemeluar “Thinking Machines lab”

Sipas relacionit që e shoqëron Aktin Normativ në faqen e Kuvendit ‘urgjenca’ dhe ‘nevoja’ ligjore që duhet të argumentohet në një rast të tillë lidhet me “rëndësinë strategjike” dhe “afatin e ngushtë kohor” të kërkuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Po ashtu, qeveria shqiptare e quan futjen e saj në botën e teknologjisë si me leverdi financiare në të ardhmen dhe një pozicionim të Shqipërisë në në komunitetin global teknologjik.

“Kjo do të tërheqë investitorë ndërkombëtarë dhe do të pozicionojë vendin tonë si një qendër për

kërkimin dhe zhvillimin e AI, një bashkëpunim që do të shërbejë si një mundësi marketingu global për vendin tonë”- argumentohet më tej në relacionin shoqërues të Aktit Normativ, që pritet të miratohet nga Kuvendi në rinisje të punimeve të ndërprera për shkak të zgjedhjeve të 11 majit.

Investimi do të bëhet nëpërmjet Korporatës së Investimeve dhe parashikohet qe efekti financiar të të mbulohet nga rritja në të njëjtën masë prej 1 miliardë lekësh e të ardhurave jotatimore në zërin “Të ardhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara”.

“Thinking Machines Lab” është një kompani kërkimore dhe produktesh për inteligjencën artificiale me synimin për t’i bërë sistemet e Intelegjencës Artificiale më të kuptueshme dhe të përdorshme për njerëzit.

(Reporter.al)