Qeveria e Shqipërisë jep me koncesion sistemin për ruajtjen e të dhënave

Tiranë, 1 shtator 2022 – Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim që të japë me koncesion Infrastrukturën e Çelësave Publikë (Public Key Infrastructure – PKI).

Në projektin e buxhetit të Shqipërisë për këtë vit janë planifikuar rreth 2 milionë dollar për këtë projekt.

Ky shërbim, i cili aktualisht ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, pas përfundimit të procedurave të tenderimit, do të menaxhohet nga një kompani private.

Ky vendim i Qeverisë vjen pas skandalit të publikimit të databazës së pagave të më shumë se 630 mijë të punësuarve në sektorin privat dhe shtetëror, si edhe pas publikimit të databazës së targave të automjeteve.

Në vendimin e qeverisë përcaktohet vetëm që Ministria e Financave të jetë autoriteti kontraktues që do të zhvillojë procedurat për dhënien me koncesion/PPP të projektit të propozuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit “Për ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës së çelësave publikë”.

Me këtë projekt parashihet që të gjitha të dhënat e subjekteve që e përdorin teknologjinë me çelësa publikë t’i besohen një kompanie private. Ky shërbim, pra pajisja me çelës public, është detyrim për të gjitha bizneset në kuadër të procesit të fiskalizimit që ka nisur prej gati dy vitesh.

Por, ekspertët e vlerësojnë si kërcënim të sigurisë përfshirjen e një kompanie private në sistemin e ruajtjes së të dhënave apo kontraktimin e një pale të tretë, duke pasur parasysh nivelin e lartë të sigurisë që duhet të garantohet nga sistemi.

Çfarë është Infrastruktura e Çelësave Publikë (Public Key Infrastructure – PKI)?

PKI është bashkësia e të gjitha organizatave, sistemeve (hardware, software), personelit, proceseve, politikave të sigurisë dhe marrëveshjeve, të cilat mundësojnë funksionimin e teknologjisë me çelësa publikë për një numër të caktuar përdoruesish. Shumë organizata dhe qeveri kanë aplikuar lloje të ndryshme sistemesh të PKI-së.

Një nënshkrim elektronik, bazuar në PKI siguron siguri dhe integritet, ndërsa një sistem enkriptimi, bazuar në PKI, jep sigurimin konfidencial të operacioneve që kanë të bëjnë ëme të dhëna sensitive.

PKI përdor kriptografinë me çelësa publikë, e cila siguron një nivel të lartë sigurie për ruajtjen dhe transmetimin e informacioneve dhe të dhënave.

PKI lindi si nevojë rritjes së sigurisë së transaksioneve bankare dhe ruajtjes së të dhënave sensitive, duke pasur parasysh evolucionin dhe përdorimin gjithnjë në rritje të telekomunikacioneve dhe tregtisë elektronike.

(Sipas Panorama.al)