Qeveria e Shqipërisë jep pa inventar pronat publike për investimet strategjike

Tiranë, 20 tetor 2022 – Përmes një vendimi të datës 29 korrik, Këshilli i Ministrave thotë se transferoi 9 mijë metra katrorë tokë publike në bregdetin e Drimadhës drejt një fondi të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike.

Përmes një vendimi të dytë më 7 shtator, qeveria miratoi dhënien me qira të kësaj sipërfaqeje për një tarifë simbolike prej 1 euro në favor të shoqërisë “Ëhite Roads Hotel” në pronësi të biznesmenit Lorenc Gjikuria. Toka publike do t’i shërbejë një projekti për ndërtimin e një hoteli dhe 150 vilave në fshatin Gjilekë të bashkisë së Himarës, i cili ka marrë tashmë statusin e investitorit strategjik.

Ky nuk është rasti i vetëm kur pronat publike u jepen pothuajse falas ose në këmbim të çmimeve shumë herë më të ulëta sesa ato të tregut biznesmenëve që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.

Por ndonëse ligji “Për Investimet Strategjike” përcakton ngritjen e një fondi për pasuri të tilla dhe bërjen e kësaj liste publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i tha BIRN se nuk e kishte një inventar të tillë.

Përmes një kërkese për të drejtë informimi, BIRN i kërkoi Ministrisë së Financave listën e pasurive publike që janë dhënë për investimet strategjike, përfituesit e tyre si dhe fondin total të pasurive që ka në menaxhim “Fondi i pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike.

Ministria e Financave u përgjigj se “nuk ka një strukturë që disponon informacionin e kërkuar” përmes një shkrese të firmosur nga sekretari i Përgjithshëm, Arlind Gjokuta.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ia delegoi Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve kërkesën për informacion për këtë fond, por Agjencia mohoi përgjegjësinë ligjore, duke cituar një VKM të qeverisë në dhjetor 2015 që i ngarkonte MFE-së përgjegjësinë për krijimin, inventarizimin dhe administrimin e këtij fondi.

“Ministria përgjegjëse për Ekonominë inventarizon pronat e përfshira në FPPMIS, ia ofron ato investitorëve strategjikë si dhe i publikon ato me qëllim informimin, mbështetjen dhe nxitjen e realizimit të investimeve strategjike,” thuhet në VKM.

E pyetur nga BIRN se pse nuk ishte zbatuar ky detyrim ligjor, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, qeveria po favorizon klientelizmin me pronat publike, duke shfrytëzuar ndonjë boshllëk ligjor, hile burokratike apo nëpërmjet vendimeve kolegjiale.

“Besoj se qeveria po operon në kushtet e një boshllëku ligjor, jo aq te rastit, por me vendime të natyrës kolegjiale,” tha Preçi, i cili drejton Qendrën për Kërkime Ekonomike. Sipas tij, qeveria i miraton këto vendime për pronat publike me njoftime të dyshimta ose pa asnjë njoftim, larg parashikimeve ligjore dhe pritshmërive të taksapaguesve për transparencë.

“Nëse shohim valën e transferimeve gati në formë dhurate dhe klienteliste, si p.sh. me metodën e shitjes për 1 Euro, lehtësisht vihet re se këto transaksione bëhen në prag fushatash elektorale, tërësisht pa një proces konkurrues,” tha ai.

Preçi bën një analizë të strukturave të ngritura me ligj për menaxhimin e pronave publike, të cilat më pas nuk kanë funksionuar, ose nuk kanë bërë transparente punën e tyre, si Korporata e Investimeve apo Fondi për investimet strategjike.

Ai thekson se “boshllëqet” ligjore shërbejnë për të justifikuar veprimet e paligjshme.

“Boshllëqet në kuadrin rregullator, mosplotësimi i legjislacionit sekondar… janë një mënyrë e rafinuar e burokracisë për të justifikuar veprimet e paligjshme, duke shmangur përgjegjësinë juridike e penale, si dhe duke mundësuar klientelizmin dhe favorizimin politik me fondet dhe asetet publike si dhe me të drejtat ekskluzive te shtetit,” përfundoi Preçi.

(Reporter.al)