Qeveria e Shqipërisë krijon kompani publike për shërbime të sterilizimit

Tiranë, 13 janar 2026 – Qeveria e Shqipërisë është duke finalizuar procesin e shtetëzimit të Koncesionit të Sterilizimit, dhjetë vjet pas nënshkrimit të kontratës e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 114 milionë euro dhe një procesi gjyqësor kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë për veprat penale të vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Më 30 dhjetor 2025, Këshilli i Ministrave vendosi të krijojë një shoqëri aksionare në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për të marrë përsipër ofrimin e shërbimeve të sterilizimit nga kompania koncesionare SaniService, e cila ndodhet nën sekuestro prej janarit të vitit 2024, raporton Reporter.

Sipas vendimit të qeverisë, kompania aksionare “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”, OSHIS sh.a., me kapital shtetëror 100%, do të ofrojë kundrejt pagesës të njëjtat shërbime që ofronte kompania koncesionare SaniService në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake.

OSHIS sh.a do të ketë një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, i cili do të përballohet nga fondi i shpenzimeve kapitale në programin “Shërbime të kujdesit dytësor” të Ministrisë së Shëndetësisë. Më pas, kompania OSHIS sh.a parashikohet të financohet nga të ardhurat e gjeneruara nga ofrimi i shërbimeve të sterilizimit.

Kontrata e partneritetit publiko-privat të sterilizimit është një ndër katër kontratat e kushtueshme të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë, për të cilën hetimi i Prokurorisë së Posaçme për Korrupsion, SPAK, ka avancuar deri në konkluzionet përfundimtare në gjykatë.

Hetimet e kryera nga SPAK zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit me qëllimin e vetëm të shpalljes fituese të kompanisë së Ilir Rrapajt, e cila i zotëronte 40% të aksioneve në konsorciumin e kompanive fituese.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimin e kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të paracaktuara si dhe mosveprimin për zgjidhjen e konfliktit të interesit.

Shkelje ligjore u gjetën edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Për shkeljet e mësipërme, Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë anëtarët e tjerë të komisionit të dhënies së koncesionit; Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.

Ish-ministri Beqaj po gjykohet ndarazi nga të pandehurit e tjerë, pasi nuk pranoi gjykimin e shkurtuar.

(r.m.)