Qeveria gjermane planifikon ndërtimin e fabrikave të reja të gjysmëpërçuesve

Berlin, 17 korrik 2025 – Qeveria gjermane synon ta bëjë vendin lidere evropiane në prodhimin e gjysmëpërçuesve.

“Ne do të krijojmë stimuj për të rritur prodhimin e gjysmëpërçuesve, pajisjeve dhe produkteve paraprake në Gjermani me të paktën tre fabrika të reja”, thuhet në agjendën e re të teknologjisë së lartë, të cilën e ka parë agjencia e lajmeve Reuters.

“Ne po sjellim fabrika të reja gjysmëpërçuesish në Gjermani dhe po konsolidojmë Gjermaninë si qendrën kryesore të prodhimit të gjysëmpërçuesve në Evropë”, thuhet në dokumentin e Ministrisë Federale për Kërkime Shkencore, Teknologji dhe Hapësirë.

Por, në dokument nuk jepen hollësi të tjera. Agjenda do të miratohet nga qeveria në korrik.

TSMC ndërton një fabrikë gjysëmpërçuesish në Dresden

Mikrogjysmëpërçuesit janë të nevojshëm për tranzicionin energjetik, përkatësisht për teknologjitë e erës dhe diellit dhe automobilët elektrikë, si dhe për zhvillimin e inteligjencës artificiale (IA). Gjysmëpërçuesit janë komponentë të vegjël, por shumë elementë bazë për shumë produkte aktuale.

Gjysmëpërçuest inteligjentë dhe me efikasitet energjetik për IA do të zhvillohen dhe prodhohen kryesisht në Gjermani. Projekti pilot i parë për një superkompjuter të automjeteve do të lançohet këtë vit.

Qeveria e kaluar gjermane kishte vendosur objektiv një zgjerim të ndjeshëm të prodhimit të  gjysmëpërçuesve, por ndeshi në pengesë kur kompania amerikane Intel anuloi përkohësisht ndërtimin e një fabrike në Magdeburg. Edhe kompania amerikane Wolfspeed e shtyu ndërtimin e një fabrike të gjysmëpërçueve në Ensdorf, në landin e Zarës (Saarland), që ishte planifikuar për muajin tetor.

Nga ana tjetër, ndërmarrja e përbashkët e Kompanisë Evropiane të Prodhimit të Gjysmëpërçuesve (ESMC), e formuar nga TSMC, Bosch dhe Infineon, po e ndërton një fabrikë gjysmëpërçuesish të teknologjisë së fundit në Dresden.

Ministrja Federale e Kërkimit Shkencor, Dorothee Bär (CSU), planifikon të nxisë kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive së të ardhmes, si inteligjenca artificiale dhe informatika kuantike, si dhe zbatimin e tyre industrial. Sipas agjencisë Reuters, aplikimet gjermane për Gigafabrikat evropiane të IA do të koordinohen me ekonominë, shkencën dhe landet federale deri në fund të vitit 2025, dhe Gigafabrikat do të jenë funksionale në vitin 2027.

Dhjetë për qind e performancës ekonomike

Të ashtuquajturat Gigafabrika janë prodhuese shumë të fuqishme që, për shembull, u lejojnë kompanive të nxisin zhvillimin e produkteve me mbështetjen e IA. Po në vitin 2025 në Gjermani do të vihet në punë sateliti i parë kërkimor për komunikimet kuantike. Një “përforcues i robotikës së IA-së” do të lansohet në vitin 2026, si projekt pilot për robotë shumëfunksionalë, ndërsa një program i ri kërkimor mbi “inxhinierinë e softuerëve” do të lansohet në vitin 2027.

“Me një ofensivë të IA, ne duam të nxjerrim 10 për qind të prodhimit tonë ekonomik duke u bazuar në IA deri në vitin 2030 dhe ta bëjmë atë një mjet të rëndësishëm në fushat themelore të kërkimit”, thuhet në strategjinë e teknologjisë së lartë.

Gjermania dhe Evropa janë në garë për të arritur Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Pas një takimi në malin Zugspitze, Kancelari Friedrich Merz (CDU) dhe Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder (CSU), theksuan rëndësinë e strategjisë së teknologjisë së lartë për të ardhmen e vendit.

Ndërkaq, ministrja Bär nuk dëshiron të përqendrohet vetëm në zhvillim, por edhe në efektet ekonomike të rezultateve të kërkimeve.

“Studimet vlerësojnë një potencial për krijimin e vlerës së shtuar përmes IA-së midis 300 dhe 400 miliardë euro në vit në Gjermani dhe dhjetë herë më shumë se kjo shumë në të gjithë botën”, thuhet në document.

Edhe pse Gjermania po shënon suksese në fazën fillestare të inovacionit, ësht e qartë se ajo mbetet prapa në komercializim.

Plan veprimi për një termocentral me fuzion

Agjenda e teknologjisë së lartë njofton gjithashtu se, deri në fund të vitit 2025, do të paraqitet një plan veprimi strategjik afatgjatë për ndërtimin e një termocentrali me fuzion në Gjermani. Për më tepër, kërkimet në teknologjitë e erës dhe të diellit do të nxiten më tej dhe Gjermania do të bëhet një “vend kryesor për inovacionin, prodhimin dhe zbatimin e akumulatorëve stacionarë të baterive”.

Prej vitit 2026, do të krijohen të ashtuquajturat “grupime kompetencash” për materialet e baterive, prodhimin e baterive dhe bateritë e këtij lloji.

Gjermania do të bëhet pioniere globale në fushën e gjeotermisë. Dokumenti 35-faqësh thekson se, sipas ekspertëve, tregu global për teknologjitë e energjisë së gjelbër do të rritet nga 700 miliardë dollarë sa ishte në vitin 2023 në më shumë se 2 bilionë dollarë në vitin 2035.

Kërkime civile dhe ushtarake

Por, agjenda e teknologjisë së lartë përfshin edhe kërkime në fushën e shëndetësisë, mbrojtjen e hapësirës dhe integrimin e kërkimeve civile dhe ushtarake në të ardhmen

Për më tepër, planifikohet rinovimi i flotës kërkimore gjermane, duke përfshirë kërkimet mbi klimën dhe biodiversitetin në dete.

Mbështetja financiare parashihet të vijë nga kapitali i shumë sipërmarrjeve dhe nga fondet publike dhe private në Gjermani. Në document thuhet shprehimisht se shteti është “klienti I parë”, i cili duhet të blejë produkte të reja për t’i bërë ato të tregtueshme.

(DW)