Prishtinë, 16 korrik 2025 – Një vendim i Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me një udhëzim Administrativ të ministrit në detyrë të Financave dhe Transfereve ka shkaktuar përplasje ndërmjet Qeverisë në detyrë dhe subjekteve opozitare në Kosovë.
Të hënën, Gjykata Supreme mori vendim për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve fiskale elektronike, sistemeve fiskale dhe softuerëve fiskalë elektronikë, të nxjerrë nga ministri në detyrë, Hekuran Murati, me arsyetim se udhëzimi është I paligjshëm sepse është marrë nga ministry në detyrë që është edhe deputet.
“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Ky vendim u prit me reagime të ashpra të Qeverisë në detyrë, e cila e cilësoi si “vendim arbirtrar” dhe si “të pabazuar në ligj”. Sipas qeverisë, Ligji për Qeverinë nuk i ndalon shprehimisht ministrat në detyrë të nxjerrin akte nënligjore.
“Neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është Udhëzimi Administrativ në fjalë”, thuhet në reagimin e Qeverisë në detyrë.
Ajo e përdori si argument për atakimin e aktgjykimit të Supremes edhe faktin se në aktgjykim thuhet se udhëzimi administrativ i ministrit në detyrë Hekuran Murati është edhe kundërkushtetues.
“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendimin e Supremes.
Qeveria në detyrë e sulmoi aktgjykimin e Supremes edhe në këtë pike. Ajo tha se kjo gjykatë i tejkaloi kompetencat e veta dhe theksoi se autoritet i vetëm për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe të akteve nënligjore është Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Supreme reagoi ashpër ndaj deklaratës së Qeverisë në detyrë, të cilwn e cilwsoi si ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.
Në një deklaratë publike të mërkurën, Supremja theksoi se komentet e Qeverisë përbëjnë keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore dhe cenojnë legjitimitetin e saj.
“Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues”, thuhet në reagim.
Supremja theksoi se ajo ka vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi dhe se pret që institucionet shtetërore të zbatojnë vendimet gjyqësore.
“Çdo përpjekje për të politizuar vendimet gjyqësore dëmton besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Supremes.
Reagimi i Qeverisë në detyrë nxiti gjithashtu kundër-reagime të ashpra të dy partive më të mëdha opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK). Ato e akuzuan Qeverinë në detyrë se përtej shkeljes së ligjit po e sfidon edhe gjyqësorin.
LDK madje iu drejtua Prokurorisë Speciale me kërkesë që ndaj Qeverisë në detyrë të nisë hetimet për veprën penale. Sipas saj, mosrespektimi i aktgjykimit të Gjykatës Supreme përbën vepër penale dhe qeveria duhet të përgjigjet për këtë.
Juristët janë të ndarë rreth kompetencave të Qeverisë në detyrë. Edhe shoqëria civile nuk është e një mendimi në këtë pikë.
Por, njohës të Kushtetutës thonë se vendi nuk mund të ketë vakuum në qeverisje, edhepse kjo nuk thuhet shprehimisht në Kushtetutën e Kosovës. Sipas tyre, Qeveria në detyrë, ndonëse ka kompetenca të kufizuara, duhet të ketë fuqi të marrë vendime fuqiplotë, sidomos në situata të jashtëzakonshme. Por, opozita thotë se situata në Kosovë nuk është e jashtëzakonshme, pavarësisht ngërçit në procesin e konstituimin e Kuvendit.
Por, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e ka cilësuar si të papranueshëm reagimin e Qeverisë në detyrë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme.
“Sulmet kundër gjykatësve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme”, ka shkruar ai në rrjetet sociale pas takimit me shefat e misioneve të BE-së Kosovë.
Qëndrimin e ambasadorit Orav e ka mbështetur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Ai ka thënë se ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë “gjëja e fundit që i nevojitet këtij vendi në këtë gjendje tashmë të vështirë politike”.
(r.m.)