Qeveria Rama protestoi te OSBE/ODIHR-i për raportin paraprak për zgjedhjet e 11 majit

Tiranë, 4 gusht 2025 – Kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha, publikoi të lënnë Shqipëri, Sali Berisha, publikoi të hënën një letër të ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, dërguar drejtuesve të misionit të OSBE/ODIHR, në të cilën kontestohet raporti paraprak i këtij misioni për zgjedhjet e 11 majit, i cili cilësohet si “një pasqyrim ndjeshëm negativ dhe i paekuilibruar.

Përmes letrës dërguar udhëheqëses së misionit vëzhgues të OSBE, Farah Karimi, kreut të ODIHR-it, Lamberto Zannier, dhe zyrtarëve të tjerë të OSBE-së, Hasani proteston ndaj disa prej gjetjeve në raportin paraprak dhe shpreh “shqetësimin serioz” për gjuhën e përdorur në deklaratën e këtij misioni, të cilën ai e quan “një pasqyrim ndjeshëm negativ” dhe “të paekuilibruar”.

“Toni dhe korniza e këtij paragrafi hyrës rrezikon të errësojë kontekstin më të gjerë të përparimeve të bëra, përfshirë përmirësimet demokratike si rritja e transparencës, avancimi i teknologjisë zgjedhore dhe, në mënyrë të veçantë, zbatimi me sukses i votimit nga jashtë vendit,” thuhet në letrën e publikuar nga Berisha.

Një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR deklaroi në gjetjet paraprake se gara zgjedhore në Shqipëri ishte “e pabarabartë” për shkak të “keqpërdorimit masiv të burimeve shtetërore dhe pushtetit institucional nga partia në pushtet” si dhe nga mungesa e medias së pavarur, e cila nuk siguroi që votuesit të ishin të mirëinformuar mbi zgjedhjen që bënë.

Në letrën e tij, Hasani i kundërshton konstatimet e këtij raporti, duke i cilësuar si “të pambështetura”.

“… pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i përhapur i burimeve administrative nuk është i mbështetur mjaftueshëm, veçanërisht për një vlerësim paraprak,” shkruan ai në letër, duke iu referuar referencës për faljen e gjobave shtetërore pak ditë para zgjedhjeve si një akt që KQZ-ja nuk e gjeti në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

Ministri Hasani e kundërshton edhe konstatimin se në medie kishte mungesë të raportimeve të pavarura dhe se shumica e medieve perceptohen si mbështetëse të partisë në pushtet.

Në fund, ai i kërkon misionit të OSBE-ODIHR-it të ketë një qasje të balancuar dhe bazuar në prova.

“Është me rëndësi që gjetjet paraprake të mos hedhin dyshime të pajustifikuara mbi një proces zgjedhor që, siç pranohet edhe në vetë raportin, është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet demokratike,” shkruan ndër të tjera Hasani.

Berisha e dënoi letrën e ministrit Hasani, të cilën e cilësoi si “një përpjekje autoritare, të dënueshme, të palejueshme për të ndërhyrë direkt, për të bërë presion dhe zhvlerësuar raportin paraprak të OSBE/ODIHR…”.

Raporti paraprak i OSBE/ODIHR=it shënoi një kthesë të fortë në gjetjet e misioneve të vrojtimit të zgjedhjeve të shkuara, ku zakonisht vëzhguesit janë mjaftuar duke vënë në dukje se problemet “janë raportuar”, ndërsa në këtë rast, ata vënë në dukje se ata vetë “i kanë dëshmuar” rastet e frikësimit të votuesve dhe të abuzimit të burimeve shtetërore.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet u shënuan nga keqpërdorimi masiv i burimeve publike dhe fuqive institucionale të partisë në pushtet, ndërsa raportime të shumta mbi presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit e tjerë si dhe rastet e frikësimit [të votuesve] ishin shqetësuese.

Letra e plotë, publikuar në shqip nga Panorama:

Tiranë, 12 maj 2025

Për: Farah Karimi, Koordinatore Speciale dhe Udhëheqëse e Misionit Afatshkurtër të OSBE-së

Ambasador Lamberto Zannier, Shef i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR

Björn Söder, Shef i Delegacionit të AP të OSBE-së

Simone Billi, Shef i Delegacionit të AP të Këshillit të Europës

Michael Gahler, Shef i Delegacionit të PE

Më lejoni t’ju shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të sinqertë për Misionin Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025 në Shqipëri.

Në lidhje me Deklaratën e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake të publikuar më 12 maj 2025, dëshiroj të shpreh me respekt pritshmërinë tonë që këto raporte të pasqyrojnë në mënyrë të saktë realitetin e vëzhguar në terren gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Në këtë kuadër, më duhet të shpreh shqetësimin serioz lidhur me paragrafin hyrës të Deklaratës, i cili paraqet një pasqyrim ndjeshëm negativ dhe, sipas mendimit tonë, të paekuilibruar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Toni dhe korniza e këtij paragrafi hyrës rrezikon të errësojë kontekstin më të gjerë të përparimeve të bëra, përfshirë përmirësimet demokratike si rritja e transparencës, avancimi i teknologjisë zgjedhore dhe, në mënyrë të veçantë, zbatimi me sukses i votimit nga jashtë vendit.

Për më tepër, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i përhapur i burimeve administrative nuk është i mbështetur mjaftueshëm, veçanërisht për një vlerësim paraprak. Për shembull, referenca në faqen 2 (paragrafi 4) për “faljen e një numri të madh gjobash shtetërore pak para ditës së zgjedhjeve” nuk përfshin sqarimin e dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në letrën e datës 8 maj 2025. KQZ-ja konfirmoi se projektvendimi i qeverisë për masat administrative të paekzekutuara nuk bie ndesh me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.

Gjithashtu, përmendja në raport e “intimidimit të përhapur të votuesve” duket të bazohet kryesisht në akuza të pa verifikuara. Siç është bërë publikisht e ditur, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur një njësi të posaçme për zgjedhjet, për të hetuar të gjitha denoncimet e besueshme për intimidim të votuesve dhe parregullsi zgjedhore. Janë nisur disa hetime dhe janë kryer arrestime – tregues të qartë të përkushtimit institucional të Shqipërisë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar llogaridhënie.

Lidhur me përshkrimin e klimës elektorale si “shumë e polarizuar”, theksojmë se, pavarësisht mospajtimeve të forta, partia në pushtet nuk ka kundërshtuar zyrtarisht vendimet kryesore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – përfshirë vonesën në publikimin e rezultateve të votimit elektronik dhe pezullimin e numërimit të votave nga Greqia, pas një kërkese nga opozita. Këto veprime pasqyrojnë një zgjedhje të qëllimshme për të ruajtur një klimë politike të qetë dhe konstruktive.

Në lidhje me vërejtjen se mjedisi mediatik mungon në raportim të pavarur dhe se shumica e mediave perceptohen të jenë në linjë me partinë në pushtet (faqe 3, paragrafi 2), dëshirojmë të rikujtojmë deklaratën e bërë nga Shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve gjatë konferencës për shtyp pas zgjedhjeve, duke sqaruar se “nuk duket të ketë autocensurë, siç ishte raportuar në Përfundimet Paraprake.” Ne besojmë se kjo dallim është thelbësor dhe duhet të reflektohet në raportin e shkruar.

Duke marrë parasysh këto konsiderata, i bëjmë thirrje me respekt Misionit dhe ODIHR-it që të sigurojnë një qasje më të balancuar dhe të bazuar në prova në vlerësimet e tyre. Është me rëndësi që gjetjet paraprake të mos hedhin dyshime të pajustifikuara mbi një proces zgjedhor që, siç pranohet edhe në vetë raportin, është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet demokratike.

Në fund, dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen e thellë të autoriteteve shqiptare për rolin e rëndësishëm që luan misioni juaj në mbështetjen e zhvillimit demokratik në Shqipëri. Këtë reagim e ofrojmë në frymën e një angazhimi konstruktiv dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm.

Ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me respekt,

IGLI HASANI

c6efe67b-41b1-4359-8138-079a52c8138f

2a8bfd41-585d-417e-b8e4-d82e7c35f7c9

(r.m.)