QIELL I VERDHË MBI VERILINDJEN AMERIKANE – KUFIZONI DALJEN NGA SHTËPIA

Ka shpresë për lehtësim të dukshëm në fundjavë, kujdes për fëmijët, të moshuarit dhe ata me probleme mushkërish, zemre e probbleme të tjera
 
Nga Ruben Avxhiu
 
Bashkia e Nju Jorkut u ka bërë thirrje banorëve të qytetit që të mos dalin nga shtëpitë përveçse për arsye të domosdoshme.
“Nëse dilni, mbani maska!”
Arsyeja është rikthimi i nivelit të lartë të tymit në ajër dhe cilësisë shumë të keqe të ajrit.
Udhëzimi për të shmangur daljen nga shtëpitë është shtyrë deri në mesnatën e sotme.
Siç është bërë e ditur reja e tymit vjen nga zjarret në Kanada. Ngjan si mjegull e verdhë apo portokalli dhe shkakton kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Ka grimca dëmtuese për njerëzit me probleme frymëmarrjeje.
Kur ka “përzjerje vertikale” tymi zbret poshtë. Sot në mëngjes duket se ishte liruar pak mirëpo presioni i ulët atmosferik e ka shtyrë përsëri drejt tokës.
A DUHET TÊ DAL JASHTË?
E mira është që fëmijët, të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore, sidomos të lidhura me mushkëritë, të mos dalin fare nëse është e mundur.
Bashkia nuk i ka mbyllur shkollat por ka anulluar veprimtaritë në qiell të hapur. Po ashtu janë anulluar koncertet etj.
E mira është që të gjithë të kufizojnë daljet përveçse për arsye të domosdoshme.
E rëndësishme është edhe që të mos bëni shumë aktivitete fizike si vrapime të gjata.
MASKAT BLU VISHINI MBRAPSHT!
Njerëzit po nxjerrin përsëri maskat e kohës së COVID-it, por lexova një këshillë interesante në “NY Daily News” nga një mjek.
Nëse keni maska kirurgu, vishini mbrapsh, me anë blue nga Brenda.
“Kirurgët e veshin maskën duke lënë anën blu jashtë sepse nuk duan që fryma e tyre të dalë dhe të shkojë te pacientët. Në këtë rast, është e kundërta. Ti duhet që të mos lësh ajrin e keq që hyjë në hundën dhe gojën tënde”.
N95 janë maskat më të mira, mirëpo në mungesë të maskave, çdo gjë është më mirë se me gojën dhe hundën zbuluar.
SHENJAT QË AJRI PO TË DËMTON
Kruarja e syve, lotët, kola e fortë, vështirësia në frymëmarrje, dhimbjet e fytit janë të gjitha shenja që duhet të futesh brenda urgjentisht.
Nëse je i shëndetshëm janë simptoma që kalojnë. Edhe nëse zgjasin ,më shumë se një ditë.
Por nëse vuan nga zemra, nga azma etj, ky ajër mund të jetë i rrezikshëm. Mund të provojë një krizë.
MBARË RAJONI VERILINDOR I PREKUR
Situata të ngjashme janë në mbarë korridorin e verilindjes amerikane nga Bostoni, deri poshtë në Washington DC, përfshi edhe shtetet Pennsylvania, New Jersey dhe Connecticut. Nëse jetoni në këto shtete e më tej, ndiqni me kujdes njoftimet.