Qori: Bllokimi i llogarisë sime në Facebook është pasojë e sulmit të motivuar politikisht

Tiranë, 20 maj 2025 – Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë, e cila e fitoi një vend në Parlamentin e Shqipërisë, në zgjedhjet e të 11 majit, njoftoi se llogaria e tij në Facebook është pezulluar prej 17 majit, pasi ajo është sulmuar me raportime se ky është profil i rremë apo imitues.

Llogaria Facebook e Arlind Qorit u bllokua pas “sulmit” me raporte të rreme

“Ma kanë kthyer dy herë, herën e parë rreth 30 minuta dhe herën e dytë më pak se 1 minutë, dhe sërish ma kanë pezulluar. Pra tri pezullime rresht”, ka thënë Qori për BIRN.

Ai ka treguar se profili i tij ishte verifikuar nga Facebook dhe e kishte shenjën blu të profileve të verifikuara të personazheve publike.

Qori ka treguar se profili i tij ishte verifikuar nga Facebook dhe e kishte shenjën blu të profileve që janë verifikuar dhe që u përkasin personazheve publike.

Ai ka thënë se sulmi ndaj profilit të tij në Facebook është sulm i organizuar për motive politike.

“Jam i mendimit se një sulm i tillë ka natyrë politike, pasi unë jo vetëm jam kryetar i një partie opozitare, por edhe sepse postimet e mia kanë vetëm natyrë politike”, ka thënë ai.

Qori ka thënë se dyshon që pas sulmit qëndrojnë forcat politike të lidhura me pushtetin. 

“Me sa duket, pushteti i sotëm, i cili është i vetmi që ka burimet për të organizuar sulme të tilla, është mjaft i shqetësuar që një parti si Lëvizja BASHKË do të përfaqësohet në Kuvend”, ka thënë ai.

Qori ka theksuar se ai është subject sulmesh për shkak të qëndrimeve të Lëvizjes Bashkë kundër korrupsionit dhe oligarkisë dhe për shkak se kjo parti e fitoi një vend në kuvend, pavarësisht garës zgjedhore shumë të pabarabartë me partitë e mëdha që kanë resurse të mëdha.

Kjo nuk është hera e parë që Qori dhe Lëvizja Bashkë janë viktima të sulmeve kibernetike. Më herët, gjatë fushatës elektorale, faqe anonime në Instagram dhe Facebook përdorën dezinformata për ta sulmuar Qorin, deputetin e zgjedhur Redi Muçi dhe Lëvizjen Bashkë.

Gjatë fushatës zgjedhore u kryen sulme të ngjashme edhe ndaj forcave të tjera opozitare.

(r.m.)

Comment

*