QUINT-i: Kosova ta formojë sa më shpejt një qeveri stabile e funksionale

Prishtinë, 12 maj 2025 – Përfaqësuesit e vendeve anëtare të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) si dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian kanë kërkuar që sa më parë të formohen institucionet e reja qeverisëse në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë e kanë bërë këtë kërkesë të hënën, në Prishtinë, gjatë takimit me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Pas, takimit, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka ritheksuar nevojën që liderët politikë të Kosovës të bashkëpunojnë dhe të gjejnë mënyrë për konstituimin e Kuvendin dhe për formimin e një qeveri stabile.

“Gjatë takimit, ritheksoi nevojën që udhëheqësit politikë të Kosovës të punojnë së bashku për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Institucionet janë thelbësore për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës”, shkroi Ambasada amerikane në platformën X.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se nervojitet një qeveri stabile për tejkalimin e situatës aktuale,

“Për përparimin e Kosovës në integrimin evropian, nevojitet një qeveri stabile dhe funksionale. Status quo-ja aktuale nuk i sjell dobi askujt”, ka thënë Orav.

Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, ka thënë se formim të shpejt i institucioneve qeverisësë është në interes të zhbllokimit të fondeve dhe përparimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës.

“Sot pasdite u takova me Kryeministrin në detyrë [Albin] Kurti së bashku me ambasadorët e tjerë të Quint-it. Inkurajova formimin e një qeverie të re sa më shpejt të jetë e mundur, për të vepruar në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke bërë përparim në çështje thelbësore, siç janë zhbllokimi i fondeve dhe përparimi drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar ambasadori Hargreaves.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili nuk ishte i pranishëm në takim, ka thënë se se zëvendësi i tij ka theksuar se Kosovës “i duhet një qeveri stabile, e aftë për të marrë vendime”.

“Shumë detyra të rëndësishme, si të brendshme ashtu edhe ndërkombëtare, janë në pritje dhe nevojitet përparim në çështje thelbësore”, ka shkruar Rohde në rrjetet sociale.

Edhe Ambasada italiane ka bërë të ditur se ka bërë thirrje për formimin e qeverisë së re të Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, “në mënyrë që Kosova të mund të ecë përpara në prioritetet kyç, siç është avancimi drejt integrimit euroatlantik”.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në komunikatën e lëshuar pas takimit, e ka vënë theksin te diskutimi për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret ligjore dhe institucionale për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, siç është vlerësuar edhe nga Asambleja Parlamentare dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës”, thuhej në komunikatën e zyrës së Kryeministrit.

(r.m.)