Qytetarët e Kosovës po ndalohen nga autoritetet serbe edhe në kufi me Hungarinë

Prishtinë, 17 prill 2024 – Ministria e Punëve të Jashtme (MPJD) e Kosovës ka bërë të ditur se autoritetet serbe po i ndalojnë shtetasit e Kosovës edhe në vendkalimet kufitare me Hungarinë.

Më herët është raportuar se në vendkalimin kufitar me Kroacinë, në Batrovci, janë ndaluar qindra shtetas të Kosovës që po udhëtonin me autobusë dhe automjete për në vendet e Bashkimit Evropian ose po vinin nga këto vende.

Valdet Hoxha, pronar i Kompanisë “Teuta Tours”, ka treguar se udhëtarët e autobusit të kompanisë së tij që po udhëtonin për në Slloveni janë ndaluar në Batrovci, të martën në orën 23:00, ndërsa autoritetet serbe u kanë thënë se kjo është bërë me një “urdhër nga lart”.

“Po presim në pikëkalimin kufitar Batrovc. Na i kanë marrë dokumentet e tash po presim. Prej orës 22:30, mbrëmë natën, jemi duke pritur këtu. Shkojmë pyesim, por nuk na japin shpjegim. Na thonë që u ka ardhur urdhër prej lart. Po presim çka po thonë”, ka thënë ai për Telegrafin.

“Kështu po sillen mirë, nuk është se po na bëjnë diçka. Vetëm po thonë ‘kemi urdhër’, ka shtuar Hoxha.

MPJD, në një komunikatë për media, u bën thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës dhe bashkatdhetarëve që janë në lëvizje të shmangin kalimin nëpër Serbi dhe ta ndjekin me vëmendje situatën.

(r.m.)

Comment

*