Qytetarët shqiptarë e përshëndesin vizitën e sekretarit Blinken në Shqipëri

Tiranë, 15 shkurt 2024 – Në Tiranë sot mbretëroi atmosferë feste për vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Shëtitorja “Dëshmorët e Kombit” ku janë selitë e institucioneve kryesore të shtetit, ishte zbukuruar me flamuj të Shqipërisë dhe të SHBA-ve, ndërsa në korpusin e Universitetit të Tiranës dhe në ekrane elektronike ishin vendosur fotografi të Sekretarit Blinken, me urimin e mirëseardhjes në Shqipëri.

Shumë qytetarë ishin mbledhur nëpër kryqëzime të rrugëve të kryeqytetit për ta përshëndetur sekretarin Blinken.

Pothuajse të gjithë ata që u intervistuan nga Zëri i Amerikës thanë se vizita e Sekretarit Blinken do të forcojë më tej bashkëpunimin dhe miqësinë shqiptaro-amerikane dhe do të shtojë mbështetjen e Uashingtonit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ne jemi proamerikanë, ndaj dola ta pres dhe ta përshëndes sekretarin Blinken. Do të doja që ashtu si kanë punuar në SHBA Fan Noli e Faik Konica shumë shqiptarë të tjerë, ashtu është e mira që të punojmë edhe këtu, të vijnë të investojnë në Shqipëri dhe ta zbukurojnë siç po zbukurohet. Jemi proamerikanë dhe mezi po pres ta shoh e ta përshëndes zotin Blinken në Shqipëri”, thotë qytetarja Mira Xhani.

Edhe qytetarët e mbledhur pranë kryqëzimeve të rrugëve u shprehën optimistë për thellimin e mëtejshëm të miqësisë shqiptaro-amerikane.

“Ne shqiptarët jemi me fat që kemi miq SHBA-të. Dy miqtë më të ngushtë të Shqipërisë janë ky diell i shkëlqyer dhe SHBA-të. Ditë më të mira do të vijnë. Duke patur një besim të plotë me veten tonë dhe të mbështetur nga SHBA-ja, ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët kudo ku janë në Shqipëri dhe në vende të tjera”, thotë pensionisti Ylli Ali.

Qytetarët kujtojnë mbështetjen e madhe të SHBA-ve në përpjekjet e Shqipërisë për liri e demokraci dhe se besojnë se Shqipëria do të arrijë ndryshime të tjera në rrugën e integrimit si një vend europian, falë përkrahjes amerikane.

“Është një kënaqësi e madhe kjo vizitë dhe do të kisha shumë dëshirë që të mund të isha më afër dhe ta përshëndesja me një flamur Sekretarin Blinken. Njerëzit kërkojnë që të jenë sa më të lirë, të kenë kushte sa më të mira, megjithatë tani ka shumë ndryshime, edhe me mbështetjen e SHBA-ve”, thotë qytetarja Miranda Shabanaga.

“Do të ketë ndryshime patjetër në cilësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, për Kosovën, për Ballkanin perëndimor. Aq më tepër që jemi para realizimit të ëndrrës tjetër, që është integrimi në Bashkimin Europian”, thotë qytetari Luan Shehaj.

Qytetarët vlerësuan mbështetjen e SHBA-ve për Shqipërinë. Ata kujtuan se SHBA, para më shumë se 100 vjetësh, e shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm, duke këmbëngulur për vetëvendosjen e kombeve.

“SHBA-të janë shteti më demokratik dhe ne e duam Amerikën, se ajo na shpëtoi nga copëtimi i plotë. Këtë Shqipëri e kemi nga Amerika. Ja pse ne jemi proamerikanë dhe e duam Amerikën dhe Amerika na do po ashtu”, thotë qytetari Klement Xhani.

(Sipas Zërit të Amerikës)