Radev: Bullgaria do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në KE

Prishtinë, 22 dhjetor 2023 – Presidenti e Bullgarisë, Rumen Radev, deklaroi të premten në Prishtinë se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).

“Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për anëtarësimin e saj sa më parë në Këshillin e Evropës”, tha Radev, në konferencë për medie, bashkë me nikoqiren e tij, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai tha se Bullgaria nuk do ta ndihmojë Kosovën edhe në fushën e sigorisë.

“Ne nuk mund ta lejojmë veten ta lëmë Kosovën në plan të dytë, aq më tepër në fushën e sigurisë”, u shpreh ai.

Radev tha se Bullgaria e konsideron dialogun si mënyrë të vetme për zgjidhjen e problemeve.

“Mendojmë se kjo është rruga e vetme. Ne i përjashtojmë provokimet e armatosura dhe dhunën. Ne ngulim këmbë që BE-ja ta ketë një rol aktiv për dialogun intensiv dhe gjetjen e zgjidhjeve”, u shpreh ai.

Radev u bëri thirrje të dy palëve të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Presidenti bullgar tha se në takimin me Presidenten Osmani është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Shqyrtuam hapa konkretë për zhvillimin e marrëdhënieve tona në perspektivë. Mes Kosovës dhe Bullgarisë ka akoma hapësirë për të thelluar marrëdhëniet tona në të ardhmen dhe për të zgjeruar bazën juridike për marrëveshje të reja. Duhet të vlerësoj përpjekjet dypalëshe për bashkëpunim më të madh tregtar mes dy vendeve dhe jo vetëm të bëjmë tregti, por edhe të prodhojmë”, tha ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is Rumen-Radev-e-Vjosa-Osmani.jpg

Presidentja Osmani e vlerësoi mbështetjen e Bullgarisë për kontributin e dhënë në ndërtimin dhe afirmimin shtetit të Kosovës.

“Që nga viti 1999 e deri më tani Bullgaria ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në vendosjen e paqes dhe ndërtimin e shtetit tonë. Njohja e pavarësisë, përkrahja e Kosovës në Gjykatën e Drejtësisë, në organizata ndërkombëtare etj, janë kontribute të rëndësishme të Bullgarisë”, tha ajo.

Osmani tha se Kosova vazhdon të llogarisë në përkrahjen e mëtejshme të Bullgarisë dhe theksoi se Kosova, si vend demokratik, si vend që ndan vlerat e përbashkëta me Bullgarinë, është e vendosur të krijojë ura të reja bashkëpunimi.

“Raporti me Bullgarinë ka qenë i një rëndësie të veçantë. Do të krijojmë mundësi të reja,  do të hapim kapituj të ri të bashkëpunimit. Ne e shohim Bullgarinë si shtet mik dhe aleat. Jemi të gatshëm për bashkëpunime të reja”, theksoi presidentja Osmani.

(r.m.)