
Radikalizmi fetar është një sfidë shumë serioze e shekullit, pasi është vënë në kërcënim demokracia dhe siguria e shoqërive europiane. Fenomeni në fjalë, konkretisht radikalizmi islamik, i nxitur jo nga feja në vetvete, por nga keqinterpretime ideologjike dhe nga qasja përjashtuese që ka Europa ndaj komuniteteve myslimane, ka vënë vërtet në provë parimet e tolerancës, lirisë dhe bashkëjetesës, duke cënuar sigurinë e jetëve njerëzore.
Sulmet terroriste të njëpasnjëshme dhe përplasja kulturore, janë disa nga pasojat që kanë tronditur strukturën sociale të shumë vendeve të BE-së. Islamofobia dhe reagimi kundër bashkëjetesës fetare kryesisht nga politika europiane, po e nxit më shumë radikalizmin fetar, i cili vjen si revoltë e shoqërive islame ndaj sjelljeve jo tolerante dhe mosintegrimit të tyre në shoqëri dhe në instanca më të larta administrative e qeverisëse. Së fundmi, marr shkas nga publikimi i një raporti që jepte alarmin për Vëllazërinë Myslimane dhe përhapjen e “islamizmit politik”, në Francë.
Franca dhe Gjermania kanë popullsinë më të madhe myslimane midis vendeve të Bashkimit Europian. Islamofobia në Francë vjen në rritje, ndërsa e djathta ekstreme po bëhet gjithnjë e më popullore. Kjo sjellje thellon më shumë ndasitë brenda shoqërive dhe rrit ndjeshmërinë brenda komuniteteve myslimane, ku për një individ apo grupe individësh që e keqinterpretojnë islamin nga ana ideologjike, përjashtohen padrejtësisht nga integrimi dhe jeta sociale.
Europa duhet të gjejë një model ku të vendosë një ekuilibër mes feve, në mënyrë që të shmangë revoltat e popullsisë islame, të cilët janë individë që e duan punën, arsimin, familjen, ndërsa patjetër duhet të tregohet shumë e kujdesshme dhe vigjilente ndaj grupeve terroriste, si ISIS, Al-Queda, të cilët rekrutojnë të rinj përmes rrjeteve sociale. Pra, janë dy fenomene që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Europa duhet të mbrojë demokracinë dhe sigurinë, por radikalizmin nuk duhet ta luftojë me urrejtje, ndërsa duhet të gjejë një strategji të balancuar që përfshin tolerancën, dialogun ndërfetar, përfshirje sociale në shkolla, administrim, vetëqeverisje, etj.
Europa, si kontinenti më i vjetër, edhe nga eksperienca politike dhe diplomatike, duhet të tregojë pjekuri, të mbrojë vlerat e saj thelbësore, duke ndërtuar ura, jo mure. Duhet t’i jepet fund paragjykime kolektive, në një shoqëri me parime të forta demokratike. Ndërsa islamofobia rritet me pasoja të rënda dhe me frikë të madhe, është detyrë e medias dhe qytetarëve të ndërgjegjshëm të nxisin dialogun dhe bashkëpunimin mes autoriteteve të larta dhe komuniteteve muslimane.
Dialogu ndërfetar dhe ndërkulturor do të krijojë shoqëri pranuese dhe do të largojë gjuhën e urrejtjes, të cilat kanë çuar në sulme me pasoja të rënda. Radikalizmi duhet të marrë fund jo me mjete lufte, por me bashkëpunim, mirëkuptim dhe komunikim.
Shumë studiues sot flasin për një “Islam europian”, të ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, paqes dhe respektit për të tjerët. Ky model është i përfaqësuar nga komunitete të shumta myslimane në Europë, që refuzojnë çdo formë ekstremizmi dhe janë partnerë aktivë në ruajtjen e rendit dhe tolerancës. Mesazhi i tyre është i qartë: feja nuk është armik i Europës, por pjesë e saj. Siç shprehet edhe ish-ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve: “Radikalizmi nuk është rezultat i fesë, por i shfrytëzimit të saj nga individë që kërkojnë të ndajnë dhe kontrollojnë”.
Edhe rezoluta nr. 1456 (viti 2003) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rezolutat që vijuan më pas detyrojnë shtetet të garantojnë që çdo masë e marrë në luftën kundër terrorizmit të jetë në përputhje me jurisprudencën ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë me jurisprudencën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ligjin për refugjatët dhe ligjin humanitar. “Terrorizmi nuk mund dhe nuk duhet të lidhet me asnjë kombësi, përkatësi fetare apo etnike. Legjislacioni vendas duhet ta përkufizojë terrorizmin dhe krimet që lidhen me të në një mënyrë të qartë, të saktë, jodiskriminuese dhe joprapavepruese, me qëllim krijimin e një baze për një reagim efikas të drejtësisë penale”, thuhet në të.
Edhe komunitetet shqiptare në diasporë, veçanërisht në vendet ku bashkësitë myslimane shqiptare janë të integruara, si në SHBA, Zvicër, Gjermani apo Itali, kanë dëshmuar se është e mundur të ruash besimin pa rënë pre e ideologjive radikale. Ky është një mesazh i fuqishëm që diaspora mund ta përcjellë si shembull integrimi, edukimi dhe bashkëjetese paqësore.
Modeli shqiptar i bashkëjetesës fetare përmendet shpesh si shembull pozitiv. Shqipëria, me shumicë myslimane, por me traditë të thellë tolerance, nuk ka qenë vatër e ekstremizmit të brendshëm, ndonëse disa individë janë rekrutuar në të kaluarën nga grupe të huaja. Megjithatë, institucionet shqiptare kanë bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar përhapjen e ekstremizmit fetar, përmes masave ligjore dhe nismave edukative.