Rafuna: Nuk kemi raportime se bizneset e mëdha janë shkyçur nga rrjeti elektrik

Prishtinë, 31 korrik 2025 – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka deklaruar se bizneset që janë anëtarë të kësaj organizate nuk kanë raportuar për shkyçje nga rrjeti i energjisë elektrike.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kanë thënë se të gjitha bizneset e mëdha që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë kompani të licencuar për furnizim me energji elektrike, do të shkyqen nga rrjeti nga data 31 korrik.

KEK-u, si Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, i ka furnizuar përkohësisht këto biznese, pas hyrjes në fuqi të vendimit të ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë, më 1 qershor.

Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë dhe të gjejnë vetë furnizues të licencuar.

Në Kosovë janë mbi 1.300 kompani të tilla.

Kompanitë që nuk kanë arritur të lidhin kontratë me një furnizues deri më 30 korrik janë furnizuar nga KEK-u, si mundësi e fundit për sigurimin e rrymës, për një periudhë 60-ditore. Kjo periudhë ka përfunduar sot, më 31 korrik.

“Edhe pse ka përfunduar kjo periudhë, ne nuk kemi informata se ka ndërprerje të rrymës te bizneset, pavarësisht faktit se a kanë lidhur kontratë me ndonjë kompani të licencuar”, ka deklaruar kryetari i OEK, Lulzim Rafuna, për Radion Evropa e Lirë.

Rafuna ka shfaqur shpresën se ndërprerja e energjisë nuk është bërë për shkak të vendimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës.

Më 30 korrik, kjo gjykatë e ka pezulluar përkohësisht vendimin e ZRRE-së që e parasheh furnizimin me energji të bizneseve të mëdha në tregun e liberalizuar të energjisë. Kjo masë do të jetë në fuqi derisa kjo gjykatë të marrë vendimin përfundimtar për këtë çështje.

Megjithatë, burime brenda ZRRE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, sipas interpretimit të juristëve të tyre, ky vendim i gjykatës vlen vetëm për kompaninë që e ka paditur ZRRE-në dhe jo për të gjitha bizneset e mëdha.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar shtyrjen e procesit të liberalizimit të tregut, për shkak se në vend mungon konkurrenca ndërmjet kompanive të licencuara për tregtim të energjisë elektrike dhe çmimit të lartë në treg. Sipas tyre, shumica e këtyre kompanive nuk kanë ofruar kushte të favorshme apo oferta bindëse për bizneset.

Kurse sa i përket çmimeve të energjisë me të cilat bizneset janë furnizuar në këta dy muaj, Rafuna tha se gjatë ditës së sotme shumë biznese kanë raportuar se faturat për muajin qershor kanë ardhur 100 për qind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Dhe, kjo shifër, sipas tij, është e papërballueshme.

Kjo konfirmohet edhe nga kompania “Frutex” në Suharekë. Pronari i saj, Shaqir Palushi tha për Radion Evropa e Lirë se fatura për muajin qershor nga KEK-u, si Furnizues i Mundësisë së Fundit, ka ardhur 6.400 euro derisa në muajin qershor të vitit të kaluar ishte mbi 3.400 euro.

Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tre të tjera janë në proces të licencimit. Në mesin e tyre janë edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe KEK-u.

Mbi 250 biznese private kanë nënshkruar kontratë me KESCO-n deri më 31 korrik, ndërsa në pritje janë edhe kërkesat e dhjetëra bizneseve të tjera. Ndërkaq, me KEK-un kanë lidhur kontrata 53 kompani.

(r.m.)