Rama: Aktakuza ndaj McGonigal nuk thotë asgjë as për mua as për qeverinë shqiptare

Tiranë, 2 mars 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përsëriti të enjten se aktakuza e ngritur ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, nuk implikon as atë dhe as qeverinë e tij.

Rama foli për këtë çështje në seancën e parlamentit, pas kërkesës këmbëngulëse të opozitës për interpelancë, për mocion me debat dhe për seancë pyetje-përgjigjesh lidhur me këtë çështje.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, i cili kishte kërkuar interpelancë të zotit Rama, tha se personat e përfshirë kishin tri qëllime.

“Kryeministri Edi Rama kishte për qëllim fillimin e një çështje penale për lobistin amerikan të angazhuar nga PD, e cila më pas do të shërbente për fillimin e një hetimi penal nga autoritetet shqiptare. Për Agron Nezën dhe Dorian Duçkën qëllimi ishte i thjeshtë: përfitimi i licencave koncensionare në sektorin e naftës. Për agjentin McGonigal, përfitimi i më së paku 225 mijë dollarëve e të tjera përfitime nga bizneset në Shqipëri. E të gjitha këto qëllime, për secilin, janë realizuar përmes mjeteve të paligjshme”, tha Alibeaj, i cili shtroi 30 pyetje për kryeministrin.

Deputeti Luciano Boci, një nga firmëtarët e kërkesës për mocion me debat, tha se Rama duhet të përgjigjet “për korruptimin e ish zyrtarit të FBI-së”, me qëllim që, sipas tij, “të godiste dhe ta eleminonte opozitën dhe sistemin politik në Shqipëri”.

Zotit Rama iu drejtuan 13 pyetje edhe nga ish kryeministri Sali Berisha.

“Janë 13, por duhet të jenë 130, të cilave ai duhet t’u përgjigjet para komisionit hetimor parlamentar. Pa marrë përgjigje këto pyetje, Shqipëria do të ketë kaos dhe vetëm kaos”, tha Berisha.

Por, Rama nuk iu përgjigj pyetjeve të opozitës. Ai zgjodhi të analizojë vetëm pjesët e aktakuzës ndaj McGonigal ku përmendet emri i tij (Ramës).

“Në të 14 këto herë kaq të famshme të përsëritjes së emrin tim, ditë e natë, ka dy muaj, aktakuza nuk thotë asgjë, zero, as për mua, as për qeverinë shqiptare apo për këdo tjetër që ka takuar personi në fjalë as për shtetin shqiptar”, u shpreh ai.

Një nga pjesët e aktakuzës ndaj zotit McGonigal që ka ngritur më shumë diskutime është ajo që lidhet me informacionet që ai kishte marrë në Shqipëri për lobimin e Partisë Demokratike në SHBA, të cilat çuan në hapjen e një hetimi nga FBI ndaj kompanisë së lobistit Nick Muzin. Momenti i parë është ai i 25 nëntorit të vitit 2017, kur ish zyrtari i FBI-së e informoi për këtë rast Departamentin amerikan të Drejtësisë.

Kryeministri Rama e lexoi këtë paragraf, por e anashkaloi fjalinë e fundit, ku thuhet se “një ditë më parë ai (McGonigal) kishte marrë informacion mbi lobistin amerikan nga personi B”, i identifikuar si Dorian Duçka, për të cilin kryeministri ka pranuar se ka punuar si këshilltar i tij i jashtëm, pa pagesë.

Tri ditë më parë, më 22 nëntor, BIRN kishte bërë publik faktin se Muzin kishte deklaruar se i kishte marrë 500 mijë dollarë nga Partia Demokratike.

Momenti tjetër është ai i muajit janar 2018, kur ish zyrtari i FBI-së sërish kishte marrë informacion, këtë herë nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, për të cilin kryeministri Rama është shprehur se e ka njohur përmes zotit McGonigal, i cili ia ka prezantuar si mik të tij. Sipas aktakuzës, Neza e ka marrë informacionin nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë.

Zoti Rama nuk e mohoi këtë fakt, por saktësoi se asokohe asi dhe zyra e tij nuk kishin asgjë tjetër lidhur me këtë çështje, përveç informacioneve të publikuara në media.

“Koha së cilës i referohet ky moment, përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime – dëgjojeni mirë këtë se është shumë e rëndësishme, duhet ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët, edhe demokratët – nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë, përveç informacioneve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim, të fshehura?”, u shpreh Rama.

“Po të kisha patur çfarëdo informacioni më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët e financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për ta rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që do të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizatat partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare”, theksoi Rama.

Por, në fakt, në atë kohë nuk ishte folur për financime ruse. Shkrimi i botuar nga BIRN nuk merrej fare me këtë çështje, e cila doli në dritë më vonë, në muajin mars, pas dyshimeve të ngritura nga një shkrim i botuar në revistën amerikane “Mother Jones”.

Kryeministri Rama nuk dha shpjegime përse Neza dhe Duçka u angazhuan drejtpërdrejt në këtë çështje, i pari duke u bërë burimi konfidencial i FBI-së për këtë çështje, kurse i dyti, këshilltari i zotit Rama, duke sponsorizuar udhëtimet e dëshmitarëve nga Europa për takimet e tyre me FBI-në.

Ai tha se 500 mijë dollarët e paguara nga PD-ja nuk ishin shpikur prej tij. Sipas tij, disa muaj më parë këtë e kishte konfirmuar edhe raporti i CIA-s për financimet ruse në Europë.

Menjëherë pas fjalës së tij, Rama u largua nga salla e parlamentit, gjë që u cilësua e papranueshme nga opozita. Deputetët opozitarë thanë se Rama është i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve të tyre.

Por, Rama nuk u kthye në sallë, pasi e kishte bërë të qartë se nuk do t’u përgjigjet pyetjeve të opozitës.

Megjithatë, seanca vazhdoi edhe për disa orë me diskutime lidhur me çështjen e McGonigal, ndonëse në sallë ishin të pranishëm vetëm një numër i vogël i deputetëve.

(Sipas Zërit të Amerikës)