Rama: Amendamenti i PE-së nuk ka lidhje me Zvërnecin, por me Nartë-Vjosën

Tiranë, 18 qershor 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me amendamentin e miratuar të mërkurën nga Parlamenti Europian. Sipas tij, ky amendament nuk ka lidhje me Zvërnecin apo me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, por me zonën e mbrojtur Nartë–Vjosë.

“…amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.

Rama ka reaguar edhe lidhur me kërkesën e Parlamentit Evropian për rishikimin e ndryshimeve të fundit të Ligjit për Zonat e Mbrojtura. Ai ka thënë se rishikimi i këtij ligji është pjesë e agjendës së së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe ndryshimet do të jenë në pajtim me kriteret dhe standardet e Bashkimit Evropian.

“… lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standardeve të BE-së.

Parlamenti Evropian e miratoi të mërkurën rezolutën për raportin e vitit 2025 mbi Shqipërinë. Një pjesë e rezolutës i kushtohet ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura.

Rezoluta bën thirrje për vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi mbi të gjitha lejet e reja dhe punimet ndërtimore brenda zonave të mbrojtura derisa të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024 të Ligjit për Zonat e Mbrojtura. Parlamenti Evropian kërkon që çdo projekt t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis dhe konsultimeve transparente me shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

Opozita dhe shoqëria civile e përshëndetën miratimin e amendamentit lidhur me zonat e mbrojtura në Shqipër nga Parlamenti Evropian.

Në Shqipëri prej 19 ditësh po zhvillohen protesta të mëdha qytetare kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Gjatë protestës po manifestohet një pakënaqësi e thellë për mënyrën e qeverisjes në Shqipëri dhe abuzimet me pushtetin. Protestuesit, ndër të tjera, po kërkojnë dorëheqjen e Ramësn ga pozita e kryeministrit.

Reagimi i plotë i Ramës

Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenka fitorja e tyre e parë! Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshëm. Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale. Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standardeve të BE-së. Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrë me botokse llajkesh e followersash, që pas përfshirjes me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar”, shkruan ai.

Kujtojmë se Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën rezolutën për raportin e vitit 2025, ku një pjesë e konsiderueshme e saj i kushtohet ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura. Parlamenti shpreh “keqardhje të thellë” për zgjatjen e Ligjit për Investimet Strategjike, i cili redukton mbikëqyrjen mjedisore.

Dokumenti citon kritikën e Komisionit për një projekt zhvillimi luksoz në shkallë të gjerë (referuar ishullit të Sazanit) që kërcënon zona ku jetojnë specie të mbrojtura si flamingo, foka dhe breshka. PE rithekson se përputhja me rregullat mjedisore të BE-së është parakusht për anëtarësim.

Rezoluta bën thirrje për vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi mbi të gjitha lejet e reja dhe punimet ndërtimore brenda zonave të mbrojtura derisa të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024 të Ligjit për Zonat e Mbrojtura. PE kërkon që çdo projekt t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis dhe konsultimeve transparente me shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

(r.m.)