Rama: Burimet natyrore në territorin e Kosovës janë të Republikës së Kosovës

Tiranë, 11 gusht 2025 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mbi planin për devijimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë.

Rama, në një postim në platformën X, ka thënë se burimet natyrore që ndodhen brenda territorit të Kosovës janë burime të Kosovës dhe jo të Serbisë. 

“Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se, në fund të fundit, çështja e burimeve ujore ndërkufitare është e rregulluar me ligje ndërkombëtare.

“Ibri është një sistem ujor ndërkufitar. Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të argumentojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalen magjikisht në kufirin serb. Në fund të fundit, kjo është arsyeja pse ekziston ligji ndërkombëtar i ujit”, ka shtuar ai.

Rama ka theksuar se Shqipëria do të qëndrojë në krah të shqiptarëve të Kosovës dhe Republikës së Kosobës.

“Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Kosovës. Shqipëria do të qëndrojë krah tyre dhe Republikës së tyre, sepse ne ndajmë historinë, gjuhën, lidhjet familjare dhe të ardhmen; por mbi të gjitha, sepse një Kosovë e lirë, demokratike dhe e sigurt është një shtet legjitim evropian dhe një pjesë e domosdoshme e stabilitetit të rajonit tonë”, ka shkruar ai.

Rama i ka cilësuar si “folklor politik” deklaratat e Beogradit për “Shqipërinë e Madhe”, sa herë që Tirana deklaron mbështetje të Kosovës.

“Sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, ‘Shqipëria e Madhe’ duhet të thirret menjëherë, sikur përsëritja një ditë mund ta shndërrojë një fantazmë të vjetër në një argument të rëndësishëm, sikur përsëritja të mundte një ditë ta shndërronte një fantazmë të vjetër në një argument të vlefshëm”, ka shkruar Rama.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe asnjë nevojë për të sajuar një të tillë. Gjithashtu, nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, ka theksuar ai.

(r.m.)