Bruksel, 27 qershor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë si “planin më të mirë të mundshëm”.
Sipas tij, ky plan e “paqton” Ballkanin Perëndimor dhe i hap rrugë edhe “njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës”.
“BE-ja e mbështetur nga SHBA ka vënë në Tryezën e Dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, planin më të mirë të mundshëm të normalizimit, i cili paqton më në fund Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë edhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës”, ka shkruar Rama në Twtter, pas takimeve me udhëheqës të Bashkimit Evropian në Bruksel, të hënën dhe të martën.
Rama e ka kritikuar Kosovën që po “refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme’ në pjesën veriore të Kosovës. Sipas tij, Serbia po e shfrytëzon për qëllimet e saj “mjegullën” e krijuar në rsaportet mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike.
“Eshtë e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës. Kësisoj Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra, në kushtet e heqjes së lirisë”, ka theksuar Rama.
Kryeministri i Shqipërisë e ka lansuar idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Sipas tij, konferenca do të zgjaste “deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit”, e cila do të përfshinte edhe “dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
“Është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se Shqipëria nuk bie asnjëherë “në kurthin ballkanik të së shkuarës”, po as nuk hesht “përballë shfaqjeve kërcënuese të vetëmjaftueshmërisë sovraniste të kujtdoqoftë”.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Rama u takua me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, dhe me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme e Siguri, Joseph Borrell.
Idenë për konferencë ndërkombëtare për Kosovën e lansoi pikërisht me z.Borrell.
Postimi i plotë i Ramës:
Takimet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian ishin një lajm shumë i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe politikën tonë konstruktive rajonale. Por fatkeqësisht në këto takime, ishte tejet brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë euro-atlantike. BE-ja e mbështetur nga SHBA ka vënë në Tryezën e Dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, planin më të mirë të mundshëm të normalizimit, i cili paqton më në fund Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë edhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës!
Eshtë e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës. Kësisoj Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra, në kushtet e heqjes së lirisë.
Është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vendosmërisht një forcë që promovon paqen, mbron stabilitetin në rajon, kontribuon për bashkëpunimin rajonal dhe punon pa u lodhur për rritjen e saj të gjithanshme, pa rënë asnjëherë në kurthin ballkanik të së shkuarës, po edhe pa heshtur në asnjë rast përballë shfaqjeve kërcënuese të vetëmjaftueshmërisë sovraniste, nga kushdoqoftë, kurdoqoftë e kudoqoftë, në lagjen tonë të vogël në mes të Europës.
(r.m.)