Rama e akuzon Top Channel-in për shantazh, televizioni thotë se “po sulmohet”

Kryeministri Edi Rama e kritikoi në mënyrë të përsëritur televizionin kombëtar Top Channel, duke aluduar se kronikat negative të këtij telvizioni janë një formë shantazhi ndaj tij në kërkim të përfitimeve të paligjshme. Top Channel iu përgjigj akuzave të mërkurën, duke dhënë edhe një listë të asaj që kjo media i quajti “bashkëpunime” me institucionet publike për “promovimin e vlerave”.

Gjergj Erebara, BIRN

Mënyra se si qeveria shqiptare i subvencionon mediat nëpërmjet reklamave shtetërore ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i Bashkimit Evropian, por qeveria nuk ka ndërmarrë hapa për të bërë transparencë dhe për të përafruar legjislacionin me ligjin e komunitar.

Megjithatë, një mosmarrëveshje mes kryeministrit Edi Rama dhe Top Channel hodhi dritë gjatë ditëve të fundit mbi këtë marrëdhënie klienteliste, e cila në rastin në fjalë ka marrë një kthesë për keq për arsye jo shumë të qarta.

Kryeministri Edi Rama e shënjestroi Top Channel gjatë ditëve të fundit në një seri mesazhesh në rrjetin social Twitter, duke e akuzuar atë se “kërkon favore të paligjshme”, ndërsa të mërkurën paraqiti edhe një dokument në të cilin Top Channel duket se i propozon Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, 50 emisione ‘promovuese’ përkundrejt një pagese prej 12 milionë lekësh.

“Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120 mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiparëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale,” shkroi Rama, duke shkruar me lek të vjetra.

Pak orë më vonë, Top Channel i cilësoi deklaratat e Ramës “një seri sulmesh” të cilat, sipas televizionit, vijnë “pas transmetimit të disa kronikave shqetësuese për publikun”.

Televizioni pranoi vërtetësinë e dokumentit të publikuar nga kryeministri, por theksoi se, ndryshe nga sa pretendon Rama, kërkesa nuk është shantazh, por një praktikë e zakonshme e punës së këtij televizioni me shumë institucione të qeverisë që paguajnë për të ashtuquajturat emisone promovuese.

“Kjo ka ndodhur në dhjetra projekte që ka zbatuar Fondacionin ‘Dritan Hoxha’, duke nisur nga Ministria e Kulturës, DPSHTRR, Bashkimi Europian, Bashkia Tiranë dhe bashki të tjera në vend etj. Së fundmi Top Media po zhvillon promovimin e bizneseve Start-up, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Dhe ky projekt nuk po transmetohet nën efektet e shantazhit, por po i jepet hapësirë të rinjve që të aplikojnë në iniciativa të reja biznesi,” thuhet në deklaratën e Top Medias.

Reklamat në Shqipëri jepen nga institucione të ndryshme publike përmes një kontrate të drejtpërdrejtë, pa garë dhe pa publikim të saj, në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2007. Në atë kohë, Partia Socialiste e konsideroi praktikën si “korruptive”.

Për shembull, në vitin 2009, Musa Ulqini deklaroi nga selia e PS-së se “ne pas ardhjes në pushtet në qershorin e këtij viti, do të kemi pjesë të axhendës tonë edhe keqpërdorimin e fondeve të taksapaguesve shqiptarë për reklamat dhe spotet qeveritare”, ndërsa në vitin 2012, Eduart Shalsi denoncoi keqpërdorimin e fondeve publike për propagandën e qeverisë.

Socialistët duket se përdorin në fakt të njëjtin vendim qeverie me Berishën për të dhënë reklamat e tyre në media, sasia e të cilave nuk është e mundur të mësohet për shkak të mungesës së plotë të transparencës.

Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian i vitit 2022 vë në dukje se “Shqipëria ka ende nevojë të miratojë legjislacion për të forcuar transparencën në reklamat publike.”

E njëjta fjali gjendet edhe në raportin e vitit 2021, gjë që do të thotë se kërkesa është e vjetër, por qeveria nuk ka bërë hapa para në zbatimin e detyrave të shtëpisë të cilat, në fund, duhet të sjellin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

(Reporter.al)