Rama e akuzon Vetëvendosjen për përfshirje në protestat antiqeveritare në Shqipëri

Tiranë, 21 qershor 2026 – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i ka kritikuar qytetarët nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut që morën pjesë në protestën kundër qeverisë që e udhëheq ai, të shtunën në mbrëmje në Tiranë.

Protesta e së shtunës mbrëma, e cila ishte e 21-ta me radhë, i ishte dedikuar diasporës së Shqipërisë. Një numër i madh protestuesish kishin ardhur nga shtetet ku jetojnë e punojnë për t’u solidarizuar me qytetarët që protestojnë kundër qeverisë Rama.

Duke marrë shkas nga një postim i Arta Tocit, qytetares shqiptare nga Maqedonia e Veriut, e cila ka reaguar kundër pjesëmarrjes së shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në protestën e Tiranës, Rama. Në një postim në Facebook, ka shkruar s e shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë.

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj! Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur”, ka shkruar ai.

Rama i ka etiketuar protestuesit me termat më fyes e më përçmues, duke cituar disa vargje satirike të Gjergj Fishtës, poetit të madh shqiptar.

“Ju rrugaça e sallahana,

vagabonda shakllabana,

rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni n’mushkni…”

Në postimin e tij, Rama e ka akuzuar partinë në pushtet në Kosovë, Lëvizjen Vetëvendosje, se është përfshirë në protestë. Por, ai e ka kursyer nga akuzat liderin e kësaj partie, kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. Madje, është kujdesur që emrin e Kurtit ta nxjerrë jashtë protestës, të cilën e ka cilësuar si “çorbë të neveritshme”.

“Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme.

Protestat kundër Qeverisë së Shqipëri nisën me kundërshtimin e projektit të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në gadishullin e Zvërnecit dhe kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura.

Me kalimin e kohës, protesta është bërë gjithnjë e më masive dhe ka marrë dimensione të reja politike. Kërkesë kryesore e protestuesve tani është dorëheqja e qeverisë së Ramës dhe zëvendësimi i saj me një qeveri teknike.

“Jemi sot së bashku në këtë shesh, të gjithë ne, të gjithë shqiptarët së bashku, të mbledhur në këtë vend për të protestuar kundër këtij regjimi, këtij regjimi të korruptuar, për të pasur ndryshime në sistemin tonë politik, për të ndryshuar sistemin dhe për t’i kërkuar këtij Kryeministri të japë dorëheqjen, dorëheqjen e menjëhershme dhe për ta përgatitur vendin për zgjedhje paraprake me një qeveri të re teknike e cila do të jetë roje e zgjedhjeve të lira për popullin shqiptar për herë të parë në 36 vjet”, ka thënë qytetari Erion Muska në protestën e së shtunës mbrëma, ku mijëra qytetarë të Shqipërisë që jetojnë jashtë vendit i janë përgjigjur thirrjes për bashkim në sheshet e Tiranës.

Ptrotestuesit, të cilët kanë fituar mbështetje të gjerë të qytetarëve, nuk kanë pranuar që atyre t’u bashkohen liderët politikë. Ata i akuzojnë për gjendjen në Shqipëri edhe liderin e opozitës, Sali Berisha.

Me protestuesit në Shqipëri janë solidarizuar edhe mërgimtarët shqiptarë në disa vende të Evropës dhe në SHBA.

Postimi i plotë i Ramës:

Nuk e njoh zonjën, po më çoi dikush këtë postim që më nxiti shënimin më poshtë:

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj!

Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur.

Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:

Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?

Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë e shqiptare, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.

Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse. Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës:

“Ju rrugaça e sallahana,

vagabonda shakllabana,

rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni n’mushkni…”

Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme.

(r.m.)