Rama e fyen rëndë Dritan Goxhajn: “Çfarë komandant i leshit”

Tiranë, 23 qershor 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka sulmuar ashpër, me gjuhë fyese e denigruese, ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhajn, i cili i shpalosi kërkesat e pjesëmarrësve të protestës antiqeveritare në Tiranë.

Të hënën, në mbrëmje vonë, Rama e etiketoi Goxhajn si njeri që është në shërbim të Iranit, për të fuqizuar përpjekjet e tij që Iranin ta etiketojë si nxitës së protestës.

Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit “intelektual” të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë….?¿”, ka shkruar ai në Facebook, pak kohë pasi Goxhaj i lexoi para protestuesve në Tiranë kërkesat e hartuara nga grupi i organizatorëve.

Kurse të martën, në një postim tjetër në Facebook, Rama e etiketoi Goxhajn si “një manipulator, gjysmë taleban e gjysmë mitoman”. Ai e publikoi një mesazh që, sipas tij, ia kishte dërguar një person që ka humbur familjarë gjatë luftës në Kosovë, i cili e ka kontestuar pjesëmarrjen e Goxhajt në luftën e UÇK-së.

’Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more’… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që i revoltuar me hosanatë e mbrojtësve të këtij tipit, më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah.

Ndërsa këto janë fjalët e mia:

Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së🇦🇱🦅🇽🇰.

Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet🤡”, ka shkruar Rama.

Fyerjeve e etiketimeve të Goxhajt nga Rama u kanë dhënë zë edhe të tjerë qeveritarë e zyrtarë të Partisë Socialiste në pushtet. Shefi i deputetëve socialistë në Kuvend, Taulant Balla, e ka etiketuar Goxhajn si “zëdhënës të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri”.

“Sot skenari u zbardh plotësisht! Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti ‘zëdhënësi’ i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë. E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë.

Tani ‘patriotët’ edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit! Avash avash, të gjitha po dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”, ka shkruar Balla.

Edi Rama është përpjekur të fajësojë “agjenturat” e huaja për organizimin e protestës kundër iqeverisë së tij. Ai i ka etiketuar protestuesit edhe si antiamerikanë, duke plasuar tezën se protesta nuk ka të bëjë me projektin e Zvërnecit por me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Por, Rama ka treaguar ashpër edhe ndaj pjesëmarrjes në protestë të shqiptarëve nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut, pavarësisht se numri i tyre përbën një përqindje simbolike të protestuesve.

(r.m.)

Comment

*