Rama e Plenkoviq kërkojnë që BE të marë masa kundër Serbisë

Zagreb, 2 tetor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviq, i bënë thirrje të hënën Bashkimit Evropian dhe NATOS-s të ndërmarrin masa kundër Serbisë, pas sulmit të grupit terrorist serb veri të Kosovës, më 24 shtator.

Rama tha se ”agresioni i forcave paramilitare është po aq shqetësues sa vetë reagimi i Beogradit”. Ai tha se i takon BE-së dhe NATO-s që ta dënojnë aktin dhe të shmanget përsëritja e agresionit.

“Samiti i Berlinit do të ketë një temë diskutimi edhe Ballkanin, duke nisur edhe nga situata e vështirë në veri të Kosovës. Por, i takon BE-së dhe NATO-s që ta dënojë aktin, në mënyrë që të ndalohet dhe të shmanget përsëritja apo, larg qoftë, të bëhet më keq se kaq. Na duhet një qëndrim i unifikuar lidhur me atë që ndodhi. Kjo jo vetëm në fjalë, por edhe me fakte ‘Evropa e bashkuar’. Kryeministri i Kroacisë është një ndër njohësit më të thellë të labirinteve të kështjellës së Harry Poter-it evropian. Këtu bëhet fjalë për masa simetrike, minimumi që duhet të bëhet, jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Masat të merren edhe për Serbinë. Ka programe, ka marrëdhënie, për t’i thënë ‘stop’ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet që në mes të Evropës dhe të rajonit, një grup kriminal i armatosur gjer në dhëmbë ushtarakisht, me uniforma ilegale, t’i marrë jetën një polici e t’i gëzohet nderit më të lartë, zisë kombëtare”, tha Rama.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq tha se Kroacia e dënon sjelljen e Serbisë dhe kërkoi që BE-ja të marë masa të menjëhershme ndaj Serbisë. Ai e kritikoi BE-në se ndaj Kosovës kishte marrë masa në mënyrë të njëanshme.

“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e policit në Kosovë. Ne e konsiderojmë këtë ngjarje incident serioz. Dëshiroj të destabilizojë paqen dhe natyrisht nuk mund të mos e shohim në kontekstin gjeostrategjik. Reagimet e tyre duhet të jenë të qarta dhe të forta dhe të përkrahim institucionet e Kosovës. Duhet të ketë përpjekje maksimale për të parandaluar çdo lloj eskalimi të gjendjes. Aktorët e BE-së i kanë dërguar mesazhe të qarta Serbisë, e cila duhet tu përmbahet. Komisioni Eurpian ka marrë masa në dëm të Kosovës para disa muajsh. Këto masa janë ndërmarrë edhe pa aprovimin e disa vendeve të BE-së, por i propozoi Lajçak, Po tani pse nuk bën një propozim për të ndëshkuar Serbinë?”,  tha Plenkoviq.

Ai tha se Serbia në njëfarë mënyre e pranoi përfshirjen në sulm, duke shpallur zi për sulmuesit e vrarë.

“Ne besojmë se shpallja ditë zie për tre de fakto terroristët që e vranë policin e Kosovës ishte një veprim i papranueshëm dhe nuk jemi aspak të kënaqur që një lëvizje e tillë politike është bërë në këtë moment, gjë që pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ata kanë bërë. Nga kjo jam i sigurt se në ditët e ardhshme, pas një analize tërësore, është gjithmonë mirë të informohemi plotësisht se çfarë dhe si ndodhi, do të ketë propozime”, tha Plenkoviq.

(r.m.)