Rama e quan të paqartë vendimin e Kushtetueses për ish-ministren Xhaçka

Tiranë, 25 nëntor 2023 – Vendimi i Kuvendit për të bllokuar dërgimin e çështjes së mandatit të Xhaçkës për interpretim u shfuqizua si “antikushtetues”, por kryeministri Rama tha se nuk i rezultonte që ka një vendim të qartë dhe të prerë të Gjykatës Kushtetuese për këtë rast.

Në fund të muajit janar, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të bllokuar dërgimin për interpretim në këtë gjykatë të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, por 10 muaj më pas, këto vendime nuk janë zbatuar ende nga Kuvendi.

Kryeministri Edi Rama e quajti të paqartë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke folur të premten në një konferencë për shtyp.

I pyetur nga BIRN se çfarë e pengonte mazhorancën që të çonte për interpretim në Kushtetuese mandatin e deputetes së PS-së, ai tha se “nuk më rezulton që ka një vendim të qartë dhe të prerë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë”.

Sipas kryeministrit, vendimi është i një natyre më ndryshe sesa një vendim i prerë i Gjykatës Kushtetuese.

Qëndrimi i Ramës është i ngjashëm me qëndrimin që ka mbajtur mazhoranca socialiste gjatë shqyrtimit të kësaj çështje në Kuvend.

Në fillim të korrikut, Këshilli i Legjislacionit, pasi i mbajti në shqyrtim për disa muaj këto vendime, doli me dy raporte për Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, si autoritet ligjor që do të vendosë për hapat e tjerë që do të ndjekë Kuvendi.

Raporti i mazhorancës i sugjeronte rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa mendimi i pakicës sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Në fund të shtatorit, Kryetarja e Kuvendit u justifikua me axhendën e ngjeshur në fillim të sesionit parlamentar. “Kryetarja e Kuvendit do të thërrasë së shpejti Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Inunitetit për ta shqyrtuar çështjen në frymën e vendimit të GJK-së,” tha shefi i saj i Kabinetit, Kosta Bajraba.

Me dy mocione të njëpasnjëshme në qershor dhe korrik të 2022, deputetët e opozitës kërkuan heqjen e mandatit të deputetes socialiste, por Këshilli i Mandateve pas disa muajsh debati doli me dy raporte dhe në nëntor 2022 mazhoranca votoi kundër dërgimit të papajtueshmërinë së mandatit në Kushtetuese.

Gjykata e riktheu çështjen në Kuvend, duke e cilësuar antikushtetues vendimin e mazhorancës që bllokonte dërgimin e çështjes në Kushtetuese.

Mandati i Xhaçkës është vënë në pikëpyetje për shkak të përfitimit të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi të statusit të investitorit strategjik për një hotel në Dhërmi si dhe shfrytëzimin e brigjeve përpara hotelit.

Ndërkohë para disa javësh, Prokuroria e Posaçme, SPAK, vendosi masën e sekuestros preventive mbi një sipërfaqe toke prej 5512 m2 në pronësi të Gaçit në bregdet, pasi dyshohet se u përfitua përmes dokumenteve të falsifikuara.

Xhaçka mbante detyrën e Ministres së Jashtme deri në fillim të shtatorit, kur kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e saj pa asnjë argumentim.

(Reporter.al)