Rama e sfidon BE-në, paralajmëron “konsultime” për amnistinë fiskale

Tiranë, 11 korrik 2022 – Kryeministri pritet të flasë për nismën e tij kontroverse për amnistinë fiskale më 15 korrik në një takim me grupet e biznesit në Pallatin e Kongreseve, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga Komisioni Evropian.

Qeveria shqiptare i ka dërguar “ftesë për konsultime” një grupi përfaqësuesish biznesi duke njoftuar mbajtjen e një konference me praninë e vetë kryeministrit Edi Rama në Pallatin e Kongreseve në Tiranë më 15 korrik, bëhet e ditur nga një burim nga grupi i organizatave të ftuara për “konsultim”.

“Nën patronazhin e kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, ka kënaqësinë e pjesëmarrjes tuaj në një takim konsultativ publik në kuadër të miratimit të projektligjit “Për Amnistinë Fiskale dhe Penale për subjektet e Deklarimit Vullnetar të Pasurisë”,” shkruhet në ftesë.

“Nisur nga rëndësia që ky projektligj paraqet për zhvillimin ekonomik të vendit, do të vlerësonim shumë praninë tuaj dhe do të dëshironim të përdornim këtë mundësi për të ndarë pikëpamjet dhe opinionet tona të përbashkëta me të gjithë palët e interesuara, në kuadër të miratimit të këtij projektligji duke synuar në zbatimin më të mirë të tij,” shkruhet më tej në ftesë.

Qeveria shqiptare planifikon të ftojë shtetas shqiptarë apo të huaj të deklarojnë para që supozohet se janë fituar përmes evazionit fiskal, kontrabandës apo mashtrimit fiskal, me kushtin që të paguajnë një taksë minimale që fillon nga 5 deri në 10% të shumës së deklaruar. Subjektet përfituese mund të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe do të përfitojnë automatikisht amnisti nga përndjekja penale për krimet që janë kryer në krijimin e kësaj pasurie.

Por përveç parave të fituara përmes mashtrimeve fiskale, të tilla si mashtrimet me TVSH-në në rastet e bëra publike së fundmi, kritikët dyshojnë se edhe paratë e krimit të organizuar, të përfituara nga trafiku i drogës apo trafiku i qenieve njerëzore, do të mund të deklarohen si fitime biznesi në kushtet e evazionit fiskal dhe për rrjedhojë, të legalizohen në vend që të konfiskohen.

Komisioni Europian shprehu shqetësime serioze për nismën javën e kaluar.

Përfaqësuesit e Komisionit Europian e kanë shprehur qëndrimin para zyrtarëve të qeverisë shqiptare gjatë takimit të 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë mbajtur më 29 qershor në Bruksel.

“Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore,” thuhet në njoftimin për shtyp.

“Për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin,” shtohet aty.

(Reporter.al)