Sipas kryeministrit Edi Rama, për jetësimin e katër europarimeve të lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve nuk duhet pritur të kalojnë edhe 8 vjet më shumë derisa të kujtohen ndërkombëtarët
Knid Ndrenika
Kryeministri Edi Rama tha se në mandatin e tretë qeverisës, Shqipëria do të hapë faqe të re bashkëpunimi me Kosovën, pavarësisht mosdakordësive për nismën e “Ballkanit të Hapur”, i ashtuajturi më herët “Shengeni” apo “Minishengeni Rajonal”.
Në mbledhjen e paradites të qeverisë, zoti Rama mbajti fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë 2017-2021.
Për kryeministrin Rama, “Ballkani i Hapur” nuk është asgjë më shumë në thelb përveçse “Procesi i Berlinit” me shpejtësi dhe përgjegjësi të re.
Sipas kryeministrit, për jetësimin e katër europarimeve të lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve nuk duhet pritur të kalojnë edhe 8 vjet më shumë derisa të kujtohen ndërkombëtarët.
Zoti Rama shpërfilli kritikat që tha se vijnë për të dhe qeverinë për “Ballkanin e Hapur” dhe shprehu besimin për bashkëpunimin me Kosovën:
“Polemikat për “Ballkanin e Hapur” dhe akuzat e hatashme ndaj kësaj qeverie dhe ndaj meje personalisht qoftë nga Prishtina, qoftë nga Tirana nuk më shqetësojnë fare dhe duhet të na shqetësojnë aspak si forcë qeverisëse në mandatin tonë të tretë. Ka shumë tym dhe shumë zjarr të ndezur për qëllime të politikës së ditës, por qeveria e re do të bëjë përpara edhe në këtë drejtim pa humbur asnjë ditë të vetme. Ndërkohë, që kam besim se me qeverinë e Kosovës do të bëjmë plot punë të mira në interes të përbashkët pavarësisht mosdakordësisë me kolegët në Kosovë me “Ballkanin e Hapur”.
Kryeministri tha gjithashtu se reputacioni, respekti, serioziteti ndaj Shqipërisë janë shumë më lart se në vitin 2013 dhe se qeveria ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkesat duke pritur hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.