Rama: Helikopterët “Black Hawk” do ta kenë “shtëpinë” e tyre në Bazën Ajrore të Farkës

Tiranë, 22 maj 2025 – Kryeministri i Shqipërisë njoftoi të enjten për përfundimin e punimeve në ndërtimin e hangarit të ri në Bazën Ajrore të Farkës, ku do të bëhet mirëmbajtja e helikopterëve “Black Hawk”.

“Helikopterët Black Hawk të Forcës sonë Ajrore do të kenë ‘shtëpinë’ e tyre të dedikuar në Bazën Ajrore të Farkës, aty ku sapo ka përfunduar ndërtimi i hangarit të ri. Investimi në infrastrukturë dhe modernizim do të rrisë operacionalitetin e Bazës së Farkës, duke ofruar të gjitha lehtësirat jo vetëm për kryerjen e punimeve të mirëmbajtjes së helikopterëve, por edhe përmirësimin e kushteve të punës për pilotët dhe teknikët tanë”, shkruan Rama në Facebook.

Rama publikoi edhe deklaratën e Kapitenit Ertion Kodra, shefit të ekipit të mirëmbajtjes të helikopterëve “Black Hawk”, i cili ka thënë se investim në këtë hangar, ku mund të vendosen 4 helikopterë, ofron kushte më të mira për punë për ekipin e tij.

“Ky hangar do të ndihmojë shumë në rritjen e operacionalitetit dhe mirëmbajtjes së helikopterëve Black Hawk duke ofruar kushte më të mira pune dhe shërbimi për efektivin e mirëmbajtjes. Ndërtimi i këtij angari është për të akomoduar deri në 4 helikopterë Black Hawk, por jo vetëm për akomodimin. Këtu do të bëhet edhe mirëmbajtja ditore si dhe të gjitha proceset. Do jetë i pajisur edhe me vinç që do të shërbejë për heqjen e pjesëve më të rënda”, ka thënë Kapiteni Kodra.

(r.m.)

(r.m.)