Rama: I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, e kanë prekur fundin

Tiranë, 20 nëntor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka komentuar seancën e sotme plenare të Kuvendit në të cilën u miratua në parim buxheti për vitin 2024, mes tymit e zjarrit të flakadanëve të opozitës.

Në një reagim në platformën “X”, Rama i ka akuzuar deputetët e opozitës se, siç është shprehur, “i futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve”.

Rama ka thënë se opozita ka “mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë” dhe ka “korrur humbje, humbje, humbje…”

“Tanimë kanë prekur fundin”, ka theksuar ai.

Reagimi i Ramës”

I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur.

(r.m.)