Uashington, 19 shkurt 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në cetremoninëe e inaugurimit të Bordit të Paqes në Uashington.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Rama iu lut Presidentit Donald Trump që “të bëjë diçka” për të shpëtuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, nga dënimi i mundshëm në Dhomat e Specializuara të Kosocvës me seli në Hagë.
Rama solli në kujtesë se Thaçit i ishte pamundësuar pjesëmarrja në takimin e ftuar nga Presidenti Trump në Uashington, për të nënshkruar një marrëveshje për normalizim të raporteve ekonomike midis Kosovës e Serbisë, pasi ai ishte arrestuar vetëm pak orë më parë me urdhër të prokurorit amerikan Jack Smith, të njëjtit prokuror që më vonë ngriti aktakuzë edhe ndaj vetë Presidentit Trump lidhur me sulmin në Capitol Hill, në janar të vitit 2021.
Rama e kritikoi Gjykatën Speciale në Hagë që prej më shumë se pesë vjetësh po i mban në paraburgim Thaçin dhe të tjerët. Ai tha se shteteve demokratike që e sponsorizojnë këtë gjykatë “duhet t’u vijë turp nga kjo lloj drejtësie”.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi) akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë për akuzat që u ngarkohen dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili.
Procesi gjyqësor ndaj tyre përfundoi të mërkurën, më 18 shkurt, Në fjalët e tyre përfundimtare, katër të akuzuarit i kanë hedhur poshtë akuzat e prokurorisë dhe kanë kërkuar të shpallen të pafajshëm.
Vendimi i trupit gjykues pritet të shpallet pas 90 ditësh.
Fjala e plotë e Ramës lidhur me Thaçin:
Më lejoni shumë shkurtimisht t’ju tërheq vëmendjen te një tjetër konflikt i hapur më pranë vendit tim, ku udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Presidenti i Kosovës, që, asokohe, u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë brutale për të nënshkruar atë marrëveshje, në praninë e presidentit Trump dhe në fakt kjo ishte çfarë u bë nga ai prokuror sikar që përndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm botërisht.
Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykate e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme dhe këtu dhe që duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare. Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh e tatimpaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burgim për të, një kërkesë që shkaktoi një valë tronditëse poshtërimi në të gjithë tërësinë e një vendi paqedashës.
Dhe në këtë moment ka vetëm disa muaj që qëndrojnë midis një njeriu, i cili u ngrit nga qëndresa ndaj spastrimit etnik për t’u shndërruar në një paqebërës dhe një rezultati shkatërrimtar nga një gjykatë që deri tani ka dështuar, në çdo hap t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike. Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish.
Edhe një herë, ju falënderoj që e përfshitë Shqipërinë në këtë nismë fisnike. Duke qenë miq të afërt me Izraelin dhe vendet arabe, shpresojmë fort të jemi një vlerë e shtuar e vizonit tuaj të jashtëzakonshëm.

(r.m.)