Rama: Jam ftuar në Uashington për themelimin e Bordit të Paqes

Tiranë, 15 shkurt 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thënë se këtë javë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka marrë ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes në Uashington.

Rama, në podkastin e tij “Flasim”, ka thënë se është privilegj për Shqipërinë të jetë në mesin e shteteve themeluese të Bordit të Paqes.

Ai e shfrytëzoi rastin ta sulmojë opozitën, e cila ka shprehur bindjen se Rama nuk do të ftohej nga Presidenti Trump në Uashington.

“Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar kur ajo tufa e bombave artizanale plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar, se, se…

Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes”, tha ai.

(r.m.)