Tiranë, 18 korrik 2025 – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u takua të premten në Berat me përfaqësues të kompanive private të teknologjisë dhe informacionit, për të diskutuar për mundësitë e një bashkëpunimi reciprok, të frytshëm si për qeverinë ashtu edhe për bizneset private.
“Jemi këtu për të diskutuar si mund të bëhemi partnerë të drejtpërdrejtë me ju, në funksion të interesave që përpiqemi të mbrojmë, por edhe të lartësimit të nismave tuaja”, tha Kryeministri, duke e quajtur transformimin digjital “një botë të re” që është krijuar për vendin.
“Kemi nevojë për një hapje të sektorit, për të krijuar instrumente tërësisht të reja financiare në shërbim të sektorit. Kemi nevojë për praktikisht çdo gjë. Duke mos e njohur si duhet sektorin nga brenda, i referohemi vetëm asaj që njohim nga vitrina globale”, shtoi Rama mbi mungesat që ata kanë identifikuar.
Sipas një raporti të UNDP-së me titull “Busulla e Zhvillimit Digjital”, dimensioni i sigurisë kibernetike në Shqipëri renditet në shkallën më të lartë (5) transformuese, e përshkruar me një kornizë ligjore dinamike dhe përputhje me kornizat ndërkombëtare.
Megjithatë, sipas këtij raporti, teknologjitë e reja mbeten akoma në nivelin bazik (1) rregullator, pa politika të konsideruara dhe ende të panjohura.
Rama shtoi gjatë takimit se, sipas tij, krijimi i një këshilli apo forumi në Kuvend me drejtuesit e kompanive kryesore të teknologjisë në vend do të ishte frytdhënës.
“Mendoj që ia vlen të kemi një këshill në Kuvend, një hapësirë, një forum ku të mblidhemi të paktën tre herë në vit për të diskutuar mbi çështjet dhe mbi të rejat për mirë apo për keq të sektorit”, tha ai gjatë takimit në Berat.
Ai theksoi gjithashtu se qeveria ka nevojë për të krijuar instrumente krejtësisht të reja financiare në shërbim të sektorit.
“Të angazhohemi për produkte që nuk janë ekzistuese, por që mund të krijohen bashkërisht, në vend që të paguajmë për produkte që vijnë nga jashtë”, ftoi Rama drejtuesit e kompanive private të IT-së.
Ndër të tjera, ai vuri në pah rëndësinë e çështjes së sovranitetit dhe mbrojtjen nga boshllëqet që mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike.
“Tendenca për t’u pavarësuar nga shërbimet globale është gjithmonë e më e fortë, në funksion të mbrojtjes nga boshllëqet ku mund të penetrojnë aktorë me qëllime të këqija ndaj vendit nëpërmjet sulmeve kibernetike”, theksoi Kryeministri.
Ai pohoi se, teksa sektori publik po forcon dita-ditës mbrojtjen, ekziston shqetësimi se sektori privat nuk po ecën me të njëjtin ritëm.
“Ne jemi tashmë të pavarur në shërbimet tona digjitale, por jam i vetëdijshëm për sa boshllëqe kemi, sidomos në sektorin privat, ku ka një mungesë informacioni për rreziqet që mund të vijnë nga sulmet kibernetike”, përfundoi Rama, duke shtuar se pikërisht në këtë pikë duhen ofertat e talenteve të reja për ndërtimin e mekanizmave të sensibilizimit.