Rama kërkon nga Këshilli i Evropës ta shfuqizojë Raportin e Dick Martyt

Rejkavik, 17 maj 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i bëri thirrje Këshillit të Evropës që ta shfuqizojë raportin e ish-eurodeputetit Dick Marty mbi pretendimet e të cilit ishte themeluar Gjykata Speciale në Hagë.

Në samitin e liderëve të Këshillit të Evropës, në Rejkjavik, Rama tha se raporti i Dick Martyt ishte sponsorizuar nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

“Presidenti i Kosovës po gjykohet nga një gjykatë, e themeluar në mbështetje të një raporti të vitit 2011 të Këshillit të Evropës, i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësues të Putinit në Këshillin e Evropës. Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u pritën si pikënisja e një fushate njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ai.

Rama tërhoqi paralele mes luftës në Kosovë e ish-presidentit Thaçi dhe luftës në Ukrainë dhe presidentit Zelensky.

“Akuza të pabazuara për trafikim të organeve njerëzore u ngritën si një fushatë kriminale që njollosi Shqipërinë dhe Kosovën, dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, m’u duk sikur e pashë presidentin Zelensky duke u gjykuar 10 vjet më vonë nga një gjykatë e veçantë, e ngritur mbi akuza absurde”, theksoi ai.

Rama tha se Këshilli i Evropës e ka për detyrim të rishikojë çdo gabim dhe të shohë çdo mundësi që mund t’i hapë rrugë shfuqizimit të raportit të Disk Martyt.

Në muajin prill Rama njoftoi se i ka mbledhur nënshkrimet e duhura që në Këshillin e Evropës të paraqitet mocioni për një rezolutë të re, e cila do ta hidhte poshtë Rezolutën e vitit 2011 pë krimet e luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ishte miratuar në bazë të një raporti të hartuar nga eurodeputeti zviceran Dick Marty.

(r.m.)