Rama: KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës, dialogu të ngritet në nivel të konferencës ndërkombëtare

Tiranë, 28 shtator 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, të marrë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës.

“Për të parandaluar në çdo mënyrë këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se herë të tjera, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, edhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, ‘jo s’kemi trupa’ apo ndonjë arsye tjetër, mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it, shumë më të madhe në trupa dhe me shumë vështirësi”, ka thënë Rama, të enjten, në një konferencë për medie, në Tiranë.

Sipas Ramës, edhe Kosova po kërkon që KFOR-i të marrë përgjegjësinë për sigurinë në pjesën veriore të vendit.

“Më vjen mirë që këtë tani e kërkon dhe Kosova, KFOR-in në veri. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia, madje disa zëra e kanë kërkuar edhe nga pala serbe. Por, kjo është puna e tyre, sepse këtu s’ka rëndësi fare kush e kërkon, pse e kërkon, si e kërkon. Këtë e kërkon situata sot. Po të ishte bërë më parë nuk do kishte ndodhur kjo që ndodhi dje, pardje, tjetërpardje.”, ka shtuar ai

Rama ka përsëritur sugjerimin e tij që dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, siç është shprehur, “të ngritet në nivelin e një konference ndërkombëtare”

“E kam thënë dhe e kam kërkuar disa herë publikisht, zyrtarisht në instancat më të larta të komunitetit euroatlantik se formati i dialogut të normalizimit duhej ngritur në nivelin e një konferencë të normalizimit me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve të pandërprera. Ndërsa përfaqësimi i BE dhe i komunitetit euroatlantik në dialog, duhej ngritur dhe ai në nivelin më të lartë me Francën dhe Gjermaninë në konferencë në nivelin e Presidentit dhe të Kancelarit, si bashkëautore të këtij plani”, është shprehur Rama.

“Sot besoj që është e qartë për të gjithë, që minimalisht formati i derisotëm i Brukselit, ku‘venë e vijnë dy burra nga këtej dhe hyjnë e dalin dy burra atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo besoj minimalisht është e qartë”, ka theksuar ai.

Rama ka thënë se Shqipëria angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë “për arsye strategjike”. Ai ka thënë se Shqipëria është “më e vlefshme në krah të Kosovës”.

“Shqipëria nuk ka arsye tjetër, përveç arsyeve strategjike për të vazhduar të kërkojë në rrugën e marrëdhënieve, komunikimit e dialogut, paqes përfundimtare në rajon. Kush në Kosovë mendon ‘çka bëj unë…’, do e kuptojë nesër që Shqipëria është kështu më e vlefshme në krah të Kosovës, jo duke e bërë komentatorin në Facebook, por duke u bërë një shtet më i fortë, siç jemi sot”, ka thënë ai.

Rama, ka thënë se Shqipëria do të jetë kundër deklaratës së Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi derisa në deklaratë nuk përfshihen sulmet e grupit të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës që u kryen të dielën në pjesën veriore të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

(r.m.)