Londër, 21 tetor 2025 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një diskutimi në panelin e organizuar nga Chatham House në Londër, ka deklaruar se Kosova nuk ka çështje territoriale me asnjë shtet dhe duhet të fokusohet në të ardhmen e saj si një republikë e pavarur e njohur ndërkombëtarisht.
“Nuk shoh çështje territoriale mes Kosovës dhe dikujt tjetër,” tha Rama, duke theksuar se Kosova është një republikë demokratike, e njohur nga Fuqitë e Mëdha, dhe se vendi duhet të ecë përpara me besim në rrugën e vet shtetërore.
Ai shtoi se për suksesin e saj, Kosova duhet të lërë pas marrëdhëniet e ndërlikuara me Serbinë.
Kosova, për të qenë e suksesshme, duhet të harrojë Serbinë, tha Rama, duke shtuar se është detyrë e Kosovës të përmbushë çdo obligim të saj, ndërsa Evropa duhet të merret me Serbinë.
Në përfundim, kryeministri shqiptar theksoi se çështja e Kosovës nuk duhet të shihet më si një problem midis Beogradit dhe Prishtinës, duke nënvizuar se Kosova është republikë dhe nuk ka probleme territoriale me asnjë vend.