Rama: Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk do të jetë përgjithmonë në tryezë

Tiranë, 16 qershor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se lirimi i 3 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të arrestuar nga forcat serbe në veri të vendit duhet të bëhet menjëherë. Ai tha se Shqipëria po përdor “të gjitha kanalet e mundshme” për të siguruar lirimin e policëve.

“Përtej faktit se ku janë kapur dhe si janë kapur, ata duhen liruar menjëherë. Ne po përdorim të gjitha kanalet e mundshme që kjo të ndodhë sa më parë. Edhe nëse kanë kaluar kufirin më mënyrë të paligjshme, sërish ata duheshin liruar”, tha ai, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun hungarez Viktor Orban, në Tiranë.

Kryeministri shqiptar tha se kriza në veri të Kosovës zgjidhet vetëm përmes dialogut dhe u bëri thirrje palëve, sidomos Kosovës, të zbatojnë marrëveshjen e Brukselit.

“Paqja është në tryezë. Dokumenti i marrëveshjes është aty dhe mundësia historike është në tryezë, për të mbyllur një kapitull të gjatë e të dhimshëm e për të hapur një kapiturl të ri e për ta bërë Kosovën të njohur ndërkombëtarisht, edhe nga Serbia”, tha Rama.

“E them me plot gojën se ajo marrëveshje dhe kjo mundësi e artë, nuk mund të jetë aty përgjithmonë. Pastaj hyjmë në një tjetër kohë të gjatë në histori, ku mund të mos ketë zgjidhe”, u shpreh Rama.

Ai i quajti “patriotë në luftëra imagjinare” ata që nuk i respektojnë propozimet e “bashkësisë euroatlantike. Kjo etiketë iu adresua qartësisht Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me të cilin polemizuan në distancë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Të tjerat mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që e shohin veten si patriotë në luftëra imagjinare por nuk sjellin asgjë vec humbjes së kohës dhe të mundësisë”, tha ai.

Edi Rama ua ka përcjellë një draft për Asociacionin presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Ai tha se ky është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Por, Kurti e refuzoi kategorikisht, duke i sugjeruar që atë draft t’ia dërgojë Vuçiqit për çështjen e Luginës së Preshevës.

Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, në fund të majit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve kosovare.

Mospajtimet mes Ramës Kurtit lidhur me kërkesat ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri, çuan në anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, e cila ishte paraparë të mbahej më 14 qershor në qytetin e Gjakovës.

(r.m.)