Rama: “E ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë”

Tiranë, 14 prill 2026 – Sot në Tiranë filluan punimet e Samitit IV të Diasporës, ku janë mbledhur shqiptarë nga të katër anët e botës për të diskutuar për përfshirjen e diasporës në zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e hapjes së samitit, tha se Shqipëria është kudo që jetojnë shqiptarët.

“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj. Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën, shpresën kokëfortë dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare”, tha Rama në fillim të fjalës së tij.

Rama e cilësoi diasporën si “zgjatim të Shqipërisë në botë”

“Sot, kur bota është më e ndërlidhur se kurrë dhe kur fjala, si kurrë më parë ven e vjen në çast sa hap e mbyll sytë nga një kontinent në tjetrin, ju jeni zgjatim i gjallë i Shqipërisë kudo në botë. Fryma e kombit përtej gjeografisë, prova e tij se identiteti nuk përmblidhet në kornizën e hartës, por zgjerohet nga udhëtimet e njerëzve të tij”, u shpreh ai.

“Mes dallgësh dhe të përpjetash të frikshme, shqiptarët ndërtuan jetë, familje, karrierë profesionale dhe sipërmarrje të suksesshme, në vende që nisën t’i njohin ata, jo përmes stereotipeve po përmes dobisë së tyre, qëndrueshmërisë së tyre, fisnikërisë të tyre, ndërkohë që Shqipëria mbetej një vrimë e zezë në parafytyrimin e të tjerëve. Dhe përtej historive tuaja individuale të suksesit, ju bartët diçka edhe më të rëndësishme; fillin e padukshëm që na lidh të tërëve me këtë tokë, një fije që asnjë distancë nuk e këput dot, një fije e bërë nga gjuha që flitet në shtëpi, nga traditat që mbahen gjallë, nga kujtimet që kalohen nga baba e nëna tek vajza e djali”, shtoi Rama.

Më pas, Kryeministri foli për Samitin e Diasporës.

“Miqtë e mi, ky samit nuk është një mbledhje ceremoniale, është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta; është pa dyshim dhe mishërim i bindjes sonë se diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare. Ky vend është një kantier i madh transformimesh që e fton diasporën në pjesëmarrje; pjesëmarrje në investime, pjesëmarrje në inovacion dhe në jetën akademike, pjesëmarrje në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë”, u shpreh ai.

Më pas ai foli gjerësisht për zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë. Edhe për projektet e qeverisë së tij për të ardhmen. Në këtë kontekst, ai e veçoi projektin “Paketa e maleve” që ka objektiv zjvillimin e turizmit malor.

Rama foli edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ai theksoi se ajo nuk shkruhet vetëm në Shqipëri, por kudo që jetojnë shqiptarët.

“E ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë. Ajo shkruhet edh në Romë, në Athinë, në Londër, në New York, në Berlin, në Zyrih në çdo vend ku shqiptarët jetojnë, punojnë dhe ëndërrojnë. Por pa diskutim e ardhmja e Shqipërisë shkruhet edhe kudo ku shqiptarët jetojnë rreth e rrotull kufijve të Shqipërisë, duke filluar nga shteti tjetër i pavarur i shqiptareve Kosova dhe pastaj edhe duke vazhduar me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të cilët s’duhet ta harrojë askush, janë një popull shtet formues të republikës fqinje dhe mike të Maqedonisë së Veriut dhe duke vazhduar dhe me shqiptarët në Mal të Zi e gjetkë”, u shpreh ai.

Në përfundim të fjalës së tij, Rama i bëri thirrje diasporës shqiptare që të marrin rol aktiv në zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë.

“Dhe në mbyllje dua të them se sot nuk dola këtu për të bërë thjesht një fjalim dhe për të dhënë një mesazh, por për të bërë ftesën e përsëritur që të vazhdojmë të rilidhemi, jo vetëm emocionalisht, por në mënyrë aktive. Të rilidhemi për ta parë Shqipërinë, jo si një vend që diaspora e la pas, por si një vend që po bëhet një shtet europian e që në formësimin e vet ka nevojë për të gjithë, si për shqiptarët brenda si për ata jashtë kufijve të tij”, theksoi ai.

Në programin e Samitit të Katërt të Diasporës janë përfshirë 18 panele, në të cilat do të diskutohet për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për nxitjen e investimeve të diasporës në Shqipëri dhe për mundësitë e shfrytëzimit të njohurive dhe eksperiencës të diasporës në fusha të ndryshme.

Gjatë samitit do të adresohen edhe mundësitë dhe sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri dhe krijimit të një vizioni për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që jetojnë.

(r.m.)