Rama në Podgoricë: Në Tiranë nuk ka takim të kryeministrave të rajonit pa kryeministrin e Kosovës

Podgoricë, 7 korrik 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të premten në Podgocë se në takimin Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë, në muajin tetor do të marrin pjesë kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai ka thënë se në Tiranë nuk mund të mbahet takim me kryeministra të vendeve të rajonit pa praninë edhe të kryeministrit të Kosovës.

“Pavarësisht se cili është qëndrimi i Bashkimit Evropian, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në takimin e Tiranës për procesin e Berlinit, do të jetë i ftuar edhe kryeministri i Kosovës. Unë dëshiroj që aty të jemi të gjashtë bashkë, përtej faktit që (kryeministri i Kosovës) mund të mos jetë i ftuar apo mund të mos duan ta ftojnë në vende të tjera.  Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e vet”, ka thënë Rama, pas takimit me kryeminstrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Rama ka thënë se këtë ia ka bërë të qartë edhe Brukselit.

“Unë ia kam bërë të qartë edhe Brukselit që në Tiranë nuk ka takim me kryeministra pa kryeministrin e Kosovës. Kështu e kuptoj unë rëndësinë e kryeministrit të Kosovës sa i takon Procesit të Berlinit.  Nuk e përjashtoj që Albin Kurti të mos vijë. Kjo nuk përjashtohet, se asgjë nuk përjashtohet. Është e drejta e tij që të mos vijë”, është shprehur ai.

Rama ka thënë se Procesit të Berlinit ofron perspektivë më të mirë për mbarë rajonin.

“Duam një paqe që të funksionojë për njerëzit dhe duam që njerëzit të kenë më shumë shanse, më shumë mundësi, më shumë punë, më shumë të ardhura dhe jo më shumë përralla dhe histori heroizmash. Heroizmat i përkasin të kaluarës. Ne nuk kemi nevojë për heronj të rinj në rajonin tonë. Ne kemi nevojë për modele të reja, të cilat të frymëzojnë të jemi më inovativë, më kreativë, më efikas, t’i bëjmë ekonomitë tona më të forta, të stimulojmë zhvillimin, të rrisim aftësitë e njerëzve tanë për të përballuar një botë që po bëhet gjithmonë më e vështirë dhe më komplekse”, ka thënë ai.

Rama ka treguar se me kryeministrin Abazoviq ka biseduar edhe për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet në Vilnius të Lituanisë, më 11 e 12 korrik.

“Për ne është shumë e rëndësishme që në këtë samit të NATO-s të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me rajonin dhe lidhur me shqetësimet në rajon”, ka thënë ai.

Ndërsa Abazoviq ka thënë se Ballkani Perëndimor “duhet të përqendrohet tek e ardhmja, e jo te e kaluara”. Ai ka theksuar se të gjitha çështjet e hapura në rajon duhet të mbyllen sa më shpejt, në mënyrë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përqendrohen në rrugëtimin e përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte të premten edhe në Sarajevë, ndërsa të enjten ishte në Shkup dhe në Prishtinë.

Nga Podgorica, Rama udhëtoi për në Beograd, ku e përfundon turneun në vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit.

(r.m.)